BDI: Nedim Rama fshehu pronësinë në një IT kompani dhe inkasonte para nga Komuna e Çairit - Gazeta Express
string(88) "bdi-nedim-rama-fshehu-pronesine-ne-nje-it-kompani-dhe-inkasonte-para-nga-komuna-e-cairit"

Maqedoni

Gazeta Express

22/05/2026 13:55

BDI: Nedim Rama fshehu pronësinë në një IT kompani dhe inkasonte para nga Komuna e Çairit

Maqedoni

Gazeta Express

22/05/2026 13:55

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka vazhduar akuzat ndaj drejtorit të NOMAGAS-it, Nedim Rama, duke pretenduar se ai ka fshehur pasurinë dhe aktivitetet e tij biznesore, pavarësisht obligimeve ligjore për deklarim në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KShPK). Në një reagim të publikuar të premten, BDI pretendon se Rama, së bashku me Xhelal Zendelin, kanë qenë pronarë të kompanisë HOSTMK LTD DOO Shkup, e cila merret me shërbime të teknologjisë informative dhe hostim të faqeve të internetit. Sipas opozitës, kompania ndër vite ka realizuar pagesa nga institucione publike, shkolla dhe komuna për mirëmbajtjen e platformave të tyre elektronike.

Partia opozitare thekson se në korrik të vitit 2023, në periudhën kur Nedim Rama ishte i punësuar në Komunën e Çairit, kompania në të cilën ai figuroi si pronar ka marrë pagesë prej 70.446 denarësh pikërisht nga kjo komunë, duke ngritur dyshime për konflikt të mundshëm interesi. “Dokumentet dhe të dhënat tregojnë se Nedim Rama ka realizuar të ardhura përmes kësaj kompanie edhe në periudhën kur ushtronte funksionin e drejtorit të NOMAGAS-it, ndërkohë që në deklaratën e pasurisë pranë Antikorrupsionit nuk ka deklaruar asnjë pasuri”, thuhet në reagimin e BDI-së.

Reagimi i plotë i BDI-së:

BDI vazhdon të zbulojë pasurinë e fshehur të Nedim Ramës, dorës së djathtë të Izet Mexhitit. Për rikujtim, edhe pse ka obligim ligjor, ai nuk ka deklaruar asnjë pasuri në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit. Në rastin e sotëm zbulojmë se deri vonë, Nedim Rama bashkë me Xhelal Zendelin kanë qenë pronarë të kompanisë HOSTMK LTD DOO Shkup, e cila merret me shërbime IT dhe hostim të faqeve të internetit.

Ndër vite, kjo kompani ka marrë dhjetëra pagesa nga shkolla, institucione kombëtare dhe komuna për mirëmbajtjen e faqeve të tyre të internetit.

Por, imagjinoni arrogancën. Në korrik të vitit 2023, derisa Nedim Rama ishte i punësuar në Komunën e Çairit, kompania e tij HOSTMK LTD DOO Shkup ka marrë pagesë prej 70.446 denarësh pikërisht nga e njëjta komunë! Të dhënat tregojnë se Nedim Rama ka realizuar të ardhura përmes kësaj kompanie edhe derisa ishte drejtor i NOMAGAS-it. Ndërkohë, në Antikorrupsion nuk ka deklaruar asnjë pasuri. Tani, Nedim Rama po përpiqet pa sukses të fshehë gjurmët e pasurisë së padeklaruar dhe të parave të fituara ndër vite.

Dokumentet nga Regjistri Qendror tregojnë se Rama dhe Zendeli në fillim të prillit kanë dorëzuar kërkesë për ndryshimin e emrit të kompanisë dhe fshirjen e pronësisë së tyre.

Kërkesa është miratuar më 4 maj dhe prej atëherë HOSTMK LTD DOO Shkup e ka ndryshuar emrin në DRIVE RENT DOO SHKUP. Që atëherë, pronar dhe menaxher i vetëm i kompanisë është bërë Sunaj Aziri, i cili sipas informatave të BDI-së është person nga rrethi i afërt i Izet Mexhitit. Kompania vazhdon të mbetet në të njëjtën adresë që më parë figuronte nga pronarët Nedim Rama dhe Zendeli. Me siguri po pyesni pse një kompani IT do ta ndryshonte emrin në DRIVE RENT, emër që logjikisht lidhet me dhënien me qira të automjeteve? Ja, e ftojmë Nedim Ramën të japë përgjigje!

I bëjmë thirrje KShPK-së dhe institucioneve kompetente që menjëherë të hapin procedurë për këtë konflikt evident interesi dhe fshehje të pasurisë. Nedim Rama duhet të mbajë përgjegjësi penale dhe morale për çdo denar të paguar nga xhepi i qytetarëve!

Advertisement
Advertisement
Advertisement