Dogana zbulon një rast të keqpërdorimit të procedurës së lirimit doganor, pati shmangie mbi 51 mijë euro - Gazeta Express
string(103) "dogana-zbulon-nje-rast-te-keqperdorimit-te-procedures-se-lirimit-doganor-pati-shmangie-mbi-51-mije-euro"

Lajme

Gazeta Express

22/05/2026 11:46

Dogana zbulon një rast të keqpërdorimit të procedurës së lirimit doganor, pati shmangie mbi 51 mijë euro

Lajme

Gazeta Express

22/05/2026 11:46

Dogana e Kosovës ka iniciuar procedurë kundërvajtëse ndaj një subjekti ekonomik lidhur me dyshimet për keqpërdorim të procedurës së lirimit nga detyrimet doganore dhe tatimore për importin e lëndës së parë për prodhim.

Në kuadër të aktiviteteve të rregullta të kontrollit dhe verifikimit pas zhdoganimit, zyrtarët kompetentë doganorë kanë realizuar kontrolle dokumentare dhe fizike tek një subjekt ekonomik i pajisur me autorizime për import të lëndës së parë të destinuar për proces prodhues, me përfitim të lirimeve nga detyrimet doganore dhe tatimore sipas legjislacionit në fuqi.

Subjekti kishte realizuar importe të mallrave në vlerë totale mbi 633 mijë euro, të deklaruara si lëndë e parë për prodhim dhe të liruara nga detyrimet doganore dhe tatimore sipas procedurës përkatëse.

Mallrat e importuara përfshinin gëzofë natyrale qengji të përpunuara për përdorim në prodhim si dhe materiale të tjera për prodhim të artikujve tekstil dhe aksesorëve prej lëkure.

Gjatë kontrolleve në lokacionet e subjektit janë evidentuar mospërputhje ndërmjet gjendjes faktike të mallrave dhe të dhënave të deklaruara në dokumentacionin doganor. Po ashtu, gjatë verifikimeve është konstatuar se një pjesë e mallrave të importuara nuk ndodheshin në depo, ndërsa dyshohet se ato janë transferuar tek një subjekt tjetër ekonomik që nuk gëzon të drejtën e shfrytëzimit të lirimeve doganore dhe tatimore për lëndë të parë.

Në kuadër të hetimit administrativ janë realizuar vizita të përsëritura në objektet e subjektit, ku është konstatuar mungesë e aktivitetit prodhues në kapacitetet e deklaruara, ndërsa gjatë procedurës janë siguruar deklarime dhe dëshmi relevante lidhur me lëvizjen dhe posedimin e mallrave të importuara.

Pas koordinimit institucional dhe interpretimit të pranuar nga Administrata Tatimore e Kosovës, Dogana tha se është konfirmuar se mallrat e importuara me përfitim të lirimeve doganore dhe tatimore nuk mund të shiten, transferohen apo barten tek subjekte të tjera që nuk janë të autorizuara për shfrytëzimin e këtyre përfitimeve.

Sipas vlerësimeve preliminare, vlera doganore e mallrave të përfshira në kundërvajtje arrin mbi 285 mijë euro, ndërsa shmangia e detyrimeve tatimore është vlerësuar mbi 51 mijë euro.

“Rasti është referuar dhe trajtuar në bashkëpunim me njësitë relevante kompetente dhe, bazuar në vendimin e organit kompetent, është proceduar si kundërvajtje doganore sipas dispozitave të Kodit Doganor dhe legjislacionit tatimor në fuqi”.

Dogana e Kosovës përsëriti se mbetet e përkushtuar në luftimin e keqpërdorimeve të procedurave doganore, mbrojtjen e konkurrencës së drejtë në treg dhe garantimin e zbatimit të plotë të legjislacionit doganor dhe tatimor.

Advertisement
Advertisement
Advertisement