Mediat britanike: Foden dhe Palmer, jashtë listës së Anglisë për Botëror - Gazeta Express
string(70) "mediat-britanike-foden-dhe-palmer-jashte-listes-se-anglise-per-boteror"

Futboll

Gazeta Express

22/05/2026 9:44

Mediat britanike: Foden dhe Palmer, jashtë listës së Anglisë për Botëror

Futboll

Gazeta Express

22/05/2026 9:44

Trajneri i Kombëtares së Anglisë, Thomas Tuchel, pritet të shkaktojë debat të madh me publikimin e listës prej 26 lojtarësh për Kupën e Botës, pasi dy prej emrave më të mëdhenj të futbollit anglez – Phil Foden dhe Cole Palmer – janë pranë mbetjes jashtë skuadrës përfundimtare.

Sipas mediave britanike, vendimi i Tuchel lidhet drejtpërdrejt me formën jo stabile që të dy lojtarët kanë kaluar këtë sezon me klubet e tyre. Foden, i cili konsiderohej një nga liderët ofensivë të Anglisë në vitet e fundit, pati një sezon zhgënjyes me Manchester City, duke realizuar vetëm shtatë gola dhe pesë asistime në 32 paraqitje në Premier League. Mesfushori ofensiv startoi vetëm në 22 ndeshje kampionale, larg pritshmërive që kishte pas sezonit të kaluar.

Edhe situata e Palmer nuk është më e mirë. Ylli i Chelsea u përball me probleme fizike gjatë sezonit dhe arriti të shënojë nëntë gola në 25 ndeshje kampionale, ndërsa londinezët zhvilluan një sezon zhgënjyes duke mbetur jashtë objektivave madhorë.

Ish-mbrojtësi i Anglisë, Phil Jagielka, analizoi vendimin e mundshëm të Tuchel duke theksuar se përzgjedhja këtë herë është bazuar më shumë në formë sesa në reputacion.

“Ka lojtarë të tjerë që kanë performuar më mirë se Foden dhe Palmer këtë sezon. Zakonisht te Anglia emri të garanton vendin, por Tuchel po zgjedh mbi bazën e formës dhe kimisë së skuadrës”, deklaroi Jagielka.

Përjashtimi i dy yjeve anglezë pritet të jetë një nga surprizat më të mëdha të listës, sidomos duke marrë parasysh rëndësinë që ata kanë pasur në vitet e fundit për “Tre Luanët”.

Ndërkohë, një tjetër mungesë e bujshme pritet të jetë ajo e Harry Maguire. Mbrojtësi i Manchester United reagoi publikisht duke pranuar se është “i shokuar dhe i dëshpëruar” nga vendimi i trajnerit.

“Besova se mund të luaja një rol të madh këtë verë për kombëtaren time pas sezonit që kam zhvilluar. Jam i tronditur dhe shumë i mërzitur nga ky vendim”, shkroi Maguire në rrjetet sociale.

Në anën tjetër, Tuchel pritet t’u japë besim lojtarëve që kanë shkëlqyer këtë sezon. Ollie Watkins do të jetë pjesë e listës pas formës fantastike me Aston Villa, ndërsa rikthehet edhe Ivan Toney, i cili ka realizuar 32 gola në 32 ndeshje me Al-Ahli.

Gjithashtu, në skuadër pritet të jenë emra si Bukayo Saka, Declan Rice, Jude Bellingham dhe Eberechi Eze.

Advertisement
Advertisement
Advertisement