“Proper Ladies”, komedia që po bën zhurmë - Gazeta Express
string(38) "proper-ladies-komedia-qe-po-ben-zhurme"

Arte

Gazeta Express

20/05/2026 21:43

“Proper Ladies”, komedia që po bën zhurmë

Arte

Gazeta Express

20/05/2026 21:43

“Proper Ladies”, komedia e re e BBC-së, po tërheq vëmendje të madhe për mënyrën e çrregullt, të shpejtë dhe plot humor me të cilën portretizon jetën e vajzave myslimane adoleshente në një shkollë fetare.

Seriali i shkurtër po krahasohet me prodhime si “Derry Girls” dhe “Some Girls”, falë energjisë kaotike, situatave absurde dhe dinamikës së besueshme mes shoqeshash në moshë adoleshence. Autorja Sabrina Ali thotë se reagimi në rrjet ka qenë i jashtëzakonshëm.

“Pamë montazhin e parë të bërë nga fansat dhe kishte 100 mijë pëlqime. Na u duk sikur ia dolëm”, është shprehur ajo.

“Proper Ladies” është një film i shkurtër 10-minutësh, i vendosur në një shkollë fetare, ku katër vajza përfundojnë në ndëshkim. Aty zhvillohen miqësi, rivalitete dhe akte rebelimi, të gjitha të ndërtuara mbi logjikën dramatike të adoleshencës, ku edhe gjërat më të vogla mund të marrin përmasa të mëdha.

Në një nga skenat më absurde, një nxënëse mban një monolog dramatik për ndezjen e alarmit të zjarrit, vetëm për të fshehur faktin se kishte përdorur tualetet e stafit.

Projekti është krijuar nga Sabrina Ali dhe bazohet në shfaqjen e saj të vlerësuar “Dugsi Dayz”. Sipas saj, synimi ishte të krijohej një komedi “e çrregullt, kaotike dhe qesharake”, por njëkohësisht e sinqertë ndaj përvojave të vajzave të reja.

Historia ndjek Salmën, një nxënëse shembullore dhe prefekte, e luajtur nga aktorja debutuese Samira Tahlil. Ajo përpiqet të vendosë rregull mes shoqeve të saj problematike, por zakonisht dështon. Ndër rrengjet e vajzave është edhe futja e laksativëve në pijen e mësueses, e luajtur nga Lisa McGrillis.

Pasojat janë ndëshkime, takime me drejtorin, i luajtur nga Mark Silcox, dhe një seri situatash të sikletshme. Në një moment, Salma zbulon aksidentalisht se drejtori mban paruke dhe, pa dashje, e merr vesh e gjithë shkolla.

Vetë Ali luan Munirën, një vajzë që drejton fshehurazi një biznes pijesh energjike brenda shkollës. Pranë saj është Yasmin, e luajtur nga Ebada Hassan, një vajzë e fiksuar pas modës, dhe Hani, e luajtur nga Kosar Ali, një nxënëse e distancuar me prirje “emo”, e cila shkruan fshehurazi fan fiction për Harry Styles.

“So many girls I knew were into fan fiction,” thotë Kosar Ali, duke reflektuar mbi skenarin. Sipas saj, kjo ishte një formë reale arratisjeje për shumë vajza adoleshente, ndërsa pothuajse çdo vajzë kalon një fazë “emo” në një moment.

Së bashku, katër personazhet krijojnë një grup të ngushtë dhe të dallueshëm, të ndërtuar mbi tipare të njohura adoleshente, por të vendosura në realitetin specifik të një shkolle të mesme fetare.

Piloti është në zhvillim dhe mund të kthehet në një serial të plotë, pas një rrugëtimi katërvjeçar nga skena në ekran. “Dugsi Dayz”, që u shfaq për herë të parë në tetor 2022, e prezantoi Ali si një zë të ri që sjell histori somalezo-britanike në teatër.

Përshtatja për televizion nisi më vonë po atë vit, me mbështetjen e producenteve ekzekutive, përfshirë edhe Michaela Coel. Ali e kishte takuar Coel në një mbrëmje për shtyp, ku i tregoi idenë e shfaqjes. Më pas, ajo zhvilloi draftin e parë në “River Library” të Coel, një hapësirë krijuese për gra me ngjyrë në shtëpinë e saj.

“Mbështetja e saj më duket si një rreth i mbyllur bukur. Më ka dhënë besim për ta zhvilluar më tej shkrimin tim”, thotë Ali.

Sipas autores, kalimi nga teatri në televizion nuk e ndryshoi këndvështrimin e veprës. Ajo nuk donte të humbiste mënyrën se si bota shihet përmes syve të vajzave.

“Nuk doja që publiku të udhëhiqej nga jashtë. Doja thjesht të hidhte një vështrim në jetën e tyre”, shpjegon ajo.

Përzgjedhja e aktoreve u bë përmes një thirrjeje të hapur në Instagram dhe TikTok, ku u ftuan edhe vajza me pak ose aspak përvojë aktrimi. Për shumë prej tyre, kjo ishte audicioni i parë.

Ali thotë se e rëndësishme ishte që procesi të dukej më i hapur dhe më pak frikësues, pasi shumë të rinj nuk e ndjekin kurrë industrinë e filmit apo televizionit, sepse ndihen sikur nuk kanë qasje.

Përtej humorit, Ali shpreson që seriali të ndryshojë mënyrën se si personazhet me ngjyrë dhe myslimane paraqiten shpesh në televizionin britanik.

“Ndonjëherë, kur personazhet duken si ne, ekziston një pritshmëri që duhet ta qetësojnë publikun. Sidomos me personazhet myslimane. Bëhet sikur duhet të tregojmë pse meritojmë të jemi këtu. Unë nuk doja këtë”, thotë ajo.

Në vend të kësaj, Ali beson se komedia krijon njohje pa pasur nevojë për shpjegim.

“Sapo qesh me një personazh, ti njeh diçka njerëzore tek ai”, shprehet ajo.

Megjithatë, bashkë me vëmendjen pozitive, kasti është përballur edhe me komente raciste dhe islamofobe në rrjet që pas transmetimit të filmit të shkurtër. Disa prej aktoreve janë detyruar të tërhiqen përkohësisht nga rrjetet sociale.

“Nëse thjesht ekzistenca jonë shkakton këtë nivel abuzimi, kjo tregon sa rrallë shihen njerëz si ne në televizionin britanik”, thotë Ali. “Por tregon edhe pse seriale si ky duhet të ekzistojnë.”

Sipas saj, megjithatë, mbështetja ka qenë shumë më e rëndësishme se urrejtja.

“Për çdo mesazh urrejtjeje, ka pasur një valë dashurie. Dhe ato mesazhe vlejnë më shumë se gjithçka”, përfundon ajo. /GazetaExpress/

Advertisement
Advertisement
Advertisement