Policia njofton se sot rreth orës 15:20, stacioni policor në Kaçanik ka pranuar një ankesë se në fshatin Begrac është dëgjuar një krismë arme e zjarrit.
Pas daljes në vendin e ngjarjes është vërejtur një vrimë në kornizën e dritares dhe një tjetër në murin e jashtëm të shtëpisë së një banori, informon policia.
“Në konsultim me prokurorin e shtetit, fillimisht është iniciuar shënim zyrtar dhe janë njoftuar hetuesit e stacionit dhe krimteknikët rajonal për ekzaminim të vendit të ngjarjes. Gjatë hetimeve të njësive policore në terren është dëgjuar edhe një tjetër e shtënë në një distancë të afërt. Pas reagimit të shpejtë, është identifikuar dhe ndaluar një person i dyshuar A.G (75 vjeç), i cili kishte në posedim një armë zjarri (pushkë të gjuetisë), një gëzhojë të përdorur, si dhe një fishek”, vijon njoftimi.
I dyshuari është shoqëruar në stacionin policor në Kaçanik për intervistim, ndërsa arma, gëzhoja dhe fisheku janë sekuestruar si prova materiale, tha policia.
Me vendim të prokurotit të rastit janë iniciuar rastet për veprat penale “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Mbajtje e armës pa leje”.