Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka sqaruar votuesit jashtë Kosovës të cilët janë regjistruar për të votuar përmes postës, për disa sms dhe e-maila njoftues që janë duke pranuar nga operatori që do të shpërndajë pakot me fletëvotime.
Fillimisht, KQZ ka sqaruar se “në vazhdim të përgatitjeve për fillimin e votimit me postë, shërbimi votues ka përgatitur pakon me fletëvotim për secilin votues të regjistruar që gjatë regjistrimit ka përzgjedhur këtë mënyrë votimi”.
Sipas KQZ-së, pakot janë përcjellur te operatori ekonomik, i cili gjatë ditëve në vazhdim do të fillojë shpërndarjen e tyre.
KQZ ka bërë të ditur se një numër i madh i pakove tashmë janë pranuar nga operatori ekonimik, DHL, i cili gjatë ditëve në vazhdim do të fillojë t’i dërgojë në adresë të votuesve të regjistruar në shtete të ndryshme të botës.
“KQZ sqaron votuesit e regjistruar se janë duke pranuar sms ose e-mail nga DHL ku njoftohen se çdo pako ka një kod gjurmimi, përmes së cilit votuesi mund ta përcjellë vendndodhjen e dërgesës”, thuhet në njoftimin e këtij institucioni.
Gjithashtu, KQZ ka sqaruar se “njoftimi i përcjellë nga operatori ekonomik, u jep mundësi votuesve që të përzgjedhin ta pranojnë dërgesën në adresën e tyre apo ta tërheqin personalisht në pikën më të afërt të DHL”.
Ndryshe, gjatë ditës së sotme, KQZ ka zhvilluar mbledhje online ku është ndryshuar afati për fillimin e votimit me postë, i planifikuar pëelr 25 maj. Sipas vendimit të ri të KQZ-së, votimi me postë do të fillojë më 21 maj.