Casemiro më parë ka shpjeguar pse mban një emër “të gabuar” në pjesën e pasme të fanellës së tij.
Mesfushori 34-vjeçar, i cili ka kaluar katër vite te Manchester Unitedi pas transferimit nga Real Madridi në verën e vitit 2022, mori një lamtumirë emocionale të dielën, kur përshëndeti për herë të fundit tifozët e “Old Trafford”.
Ishte një pasdite e vështirë për brazilianin, shkruan “Gazeta Express”.
Në fakt, pasi shprehu mirënjohjen e tij pas fitores 3-2 të Unitedit ndaj Nottingham Forestit, ai ishte planifikuar të merrte pjesë në një konferencë lamtumire për shtyp, por sipas Samuel Luckhurst, ishte “shumë emocional” për të marrë pjesë.
Megjithatë, ai u shpreh në “Instagram” pas ndeshjes.
“Ka vende që i kalojmë në jetë dhe ka vende që bëhen pjesë e asaj që jemi. Manchesteri do të jetë gjithmonë shtëpia ime. Për qytetin, klubin dhe çdo tifoz, faleminderit me gjithë zemër,” shkroi ai.
“Këto katër vitet e fundit kanë qenë të paharrueshme, të mbushura me momente që unë dhe familja ime do t’i mbajmë me vete për gjithë jetën. Nuk ka fjalë të mjaftueshme për të përshkruar lumturinë dhe ngrohtësinë që kemi ndier këtu”, shtoi ai.
Casemiro shtoi: “Faleminderit për çdo brohoritje, çdo kujtim dhe që na bëtë të ndihemi si në shtëpi që nga dita e parë. Përgjithmonë një ‘Red Devil’”.
Për pjesën më të madhe të karrierës së tij, emri i Casemiros është shkruar “gabim” në fanellë, por pse? Rezulton se braziliani është shumë supersticioz.
“Pra, gjëja është që emri im është Carlos Henrique Casimiro, me një ‘I’ aty,” shpjegoi ai për “Football Focus”.
“Mbaj mend që luajta një ndeshje për Sao Paulon dhe klubi e shkroi gabim emrin tim. E shkruan me ‘E’. Luajta shumë mirë atë ndeshje dhe siç jam supersticioz, thashë: ‘Lëreni ashtu, po më ecën mirë!’”, shtoi ai.
“Dhe kështu emri mbeti, por emri im është Carlos Henrique Casimiro. Ishte një gabim në një ndeshje, emri mbeti dhe thashë: ‘S’ka nevojë ta ndryshojmë, lëreni ashtu’”, tha braziliani.
Casemiro u rrit në akademinë e Sao Paulos dhe debutoi me ekipin e parë në vitin 2010.
Ai shënoi 11 gola në 111 ndeshje para se të transferohej te Real Madridi në vitin 2013. Pjesa tjetër, siç thuhet, është histori./GazetaExpress/