Anëtarja e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami tha se “nuk është aspak befasi” që WolrdAtlas, duke përdorur të dhënat e Fondit Monetar Ndërkombëtar, e vendosi Kosovën si vendin e dytë më të varfër në Europës.
Bajrami tha në Frontal në T7 se tash e gjashtë vjet vendi “është në inflacion të vazhdueshëm”.
“Nuk është asnjë befasi për neve që renditemi vetëm pas Moldavisë, kur është fjala për vendet më të varfra. Kjo është komplet e natyrshme kur e ke një vend i cili qe gjashtë vite është në inflacion të vazhdueshëm”, tha ajo.
Bajrami përmendi se Agjencia e Statistikave të Kosovës para disa ditësh “tregoi që norma e inflacionit në prill të vitit 2026 ishte 7.5%”.
“T’ju them të drejtën, ajo çka mendova kur e pashë këtë është që në vendet e zhvilluara vetëm një faktor i tillë – norma e inflacionit 7.5% – do të mjaftonte për ta rrëzuar një qeveri. Por ja që ne e kemi pasur një qeveri me 51% e cila në këto kushte të inflacionit dhe krizës ekonomike refuzoi të marrë çfarëdo mase dhe e çoi vendin në zgjedhje në mënyrë që t’i kapë të gjitha institucionet”, tha ajo.