Trajneri spanjoll nuk do të jetë më në krye të Eintracht Frankfurtit. Ai u largua nga klubi gjerman pas vetëm 14 ndeshjeve të zhvilluara në stol, ndërsa klubi bëri të ditur se ndarja erdhi me marrëveshje reciproke mes palëve.
Në periudhën sa drejtoi skuadrën, Riera arriti katër fitore, pesë barazime dhe pesë humbje. Eintracht e përfundoi sezonin në pozitën e tetë në Bundesliga, duke mbetur jashtë garave evropiane për edicionin e ardhshëm. “Ramë dakord të dyanshëm se kishte ardhur koha për t’i dhënë fund bashkëpunimit tonë. Si trajner, marr përgjegjësinë për rezultatet. Detyra ime ishte të mbroja ekipin dhe të arrija sukses. Nuk do të ndryshoja asgjë. Qëllimi im ishte të zhvilloja lojtarët. Jam mirënjohës që kam qenë pjesë e historisë së Eintrachtit dhe i uroj klubit gjithë të mirat në të ardhmen”, deklaroi Riera pas largimit.
Raportime për tensione me futbollistët
Riera mori drejtimin e skuadrës në shkurt, duke zëvendësuar Dino Toppmöller (45), dhe që në fillim u përshkrua si një trajner me disiplinë të fortë. Mediat raportuan se ai pati përplasje me disa prej lojtarëve kryesorë të ekipit, ndërsa sulmuesi Jonathan Burkhardt u përmend si rasti më i fundit. Gjithashtu, në opinion kanë qarkulluar histori të ndryshme lidhur me mënyrën e tij të menaxhimit dhe raportet me gazetarët. Në një konferencë të fundit për media, Riera i mohoi këto pretendime duke thënë: “Është gjithçka e pakuptimtë”.
Sukseset para aventurës në Gjermani
Para se të transferohej në Bundesliga, Riera kishte krijuar reputacion të mirë në futbollin slloven. Ai fitoi titullin kampion dhe kupën me Olimpijan në sezonin 2022/23, ndërsa më pas pati sukses edhe me Celjen, ku fitoi Kupën dhe arriti deri në çerekfinale të Ligës së Konferencës sezonin e kaluar.
Megjithëse kishte oferta nga skuadra të tjera, ai vendosi të pranonte projektin e Eintrachtit dhe mori drejtimin e ekipit pas largimit të Toppmöller.
Si lojtar, karrierën e nisi te Bordeaux në vitin 2003, ndërsa dy vite më vonë kaloi te Espanyol. Në vitin 2006 luajti si i huazuar te Manchester City. Periudhën më të njohur të karrierës e pati te Liverpooli, ku zhvilloi 56 ndeshje nga viti 2008 deri më 2010 nën urdhrat e Rafa Benitez. Aventurës së tij në “Anfield” i erdhi fundi mes polemikave, pasi Benitez e pezulloi në vitin 2010 pas deklaratave publike të futbollistit, i cili e kishte përshkruar Liverpoolin si “një anije që po fundoset”.
Më vonë, Riera luajti edhe për Galatasaray, Olympiacos, Watford, Udinese dhe Mallorca, para se të pensionohej nga futbolli profesionist në vitin 2016.