Antoine Griezmanni i ka dhënë një lamtumirë emocionale tifozëve të Atletico Madridit të dielën, në ndeshjen e tij të fundit në shtëpi para transferimit të tij të ardhshëm te Orlando Cityt në MLS, duke regjistruar edhe asistimin e 100-të për klubin.
Në paraqitjen e tij të 500-të me fanellën e Atleticos, 35-vjeçari dhuroi pasimin vendimtar për Ademola Lookmanin në minutën e 21-të, duke siguruar fitoren 1-0 ndaj Gironës në ndeshjen e parafundit të La Ligës për sezonin.
Ky asist i saktë ishte i 100-ti për klubin madrilen, që i shtohet 212 golave të tij me Atletico Madridin.
Edhe pse shokët e skuadrës, Thiago Almada dhe Marc Pubill, u përpoqën ta ndihmonin të shënonte një gol lamtumire në fund të ndeshjes, ai nuk arriti ta mbyllte me gol, por gjithsesi mori një pritje madhështore në “Metropolitano”, ku u organizua edhe një ceremoni speciale pas ndeshjes.
Portieri Jan Oblak ishte ndër të parët që vlerësoi ndikimin e madh të francezit në klub.
“Jam i lumtur që kam mundur t’i shijoj këto vite me të. Ai duhej ta kishte fituar Topin e Artë. Ka ende shumë vite përpara në Shtetet e Bashkuara,” tha Oblak për mediat.
Largimi i tij drejt Orlando Cityt në MLS me parametër zero shënon fundin e një epoke legjendare për Atletico Madridin.
Griezmanni iu bashkua klubit fillimisht në vitin 2014 nga Real Sociedad për 54 milionë euro, u transferua më pas te Barcelona në 2019 për 120 milionë euro, dhe u rikthye në Atletico fillimisht në huazim më 2021, përpara se të bëhej transferim i përhershëm për 22 milionë euro.
Gjatë dy periudhave të tij në klub, ai fitoi Ligën e Evropës, Superkupën e Spanjës dhe Superkupën e UEFA-s./GazetaExpress/