Eurovision 2026 rikthehet këtë vit në Austri, në një edicion jubilar që shënon 70-vjetorin e festivalit, por rrugëtimi drejt natës finale në Vjenë është shoqëruar me debate të forta.
Pesë shtete, mes tyre Spanja, Holanda dhe Irlanda, kanë bojkotuar garën në shenjë proteste ndaj pjesëmarrjes së Izraelit. Edhe gjatë gjysmëfinales së parë, në sallën “Wiener Stadthalle” u dëgjuan thirrje “Free Palestine”, duke e bërë sloganin e festivalit, “United by music”, të tingëllojë më ironik se kurrë.
Megjithatë, spektakli i përvitshëm i Euro-pop-it vazhdon. Finalja e madhe e së shtunës pritet të ndiqet nga rreth 150 milionë shikues dhe, si çdo vit, do të sjellë një përzierje mes muzikës, spektaklit vizual, votimeve me ngjyrim politik dhe performancave të pazakonta.
Një nga surprizat e para ishte San Marino, kënga e së cilës u bashkëshkrua nga Boy George, i cili gjithashtu dha vokale të ftuara. Megjithatë, kënga nuk arriti të kualifikohej nga gjysmëfinalja e së martës.
Nga artistë të lyer me bojë argjendi, te reperë mbi skuterë dhe balada dramatike, këto janë 11 këngët që pritet të tërheqin më shumë vëmendje në finalen e Eurovision 2026.
Norvegji – “Ya Ya Ya” nga Jonas Lovv
Titulli i këngës norvegjeze duket si një formulë klasike e Eurovisionit, ndërsa një pjesë e madhe e tekstit përsërit “ya ya ya”. Por pavarësisht kësaj, kënga nuk është thjesht një produkt i lehtë pop. Pesë vite pas triumfit të Måneskin, Jonas Lovv vjen me një qasje rock, me riffe energjike dhe refrene që mbeten në mendje. Kënga është krahasuar me himnet indie të viteve 2000, si “Hate to Say I Told You So” nga The Hives.
Finlandë – “Liekinheitin” nga Linda Lampenius & Pete Parkkonen
Në krye të parashikimeve të bastexhinjve është “Liekinheitin”, një baladë techno me tone dramatike, titulli i së cilës përkthehet “flakëhedhëse”. Performanca pritet të shoqërohet me efekte piroteknike, ndërsa violinistja klasike Linda Lampenius, me flokë biondë platin dhe një fustan metalik, interpreton me një violinë Gagliano të shekullit XIX. Kjo është vetëm hera e dytë që një instrument live lejohet në skenën e Eurovisionit që nga viti 1998. Finlanda synon fitoren e dytë në histori, pas triumfit të Lordi-t në vitin 2006.
Armeni – “Paloma Rumba” nga Simón
“Paloma Rumba” është një këngë rock që ironizon kulturën e zyrave dhe lodhjen nga puna e përditshme. Me vargje si “ky takim mund të ishte një email”, Simón sjell një revoltë energjike kundër rutinës së punës. Në skenë, performanca përfshin letra që fluturojnë, lëvizje akrobatike dhe një dalje simbolike drejt derës, si një arratisje nga sistemi
https://youtu.be/5EXoK-lgocw .
Francë – “Regarde!” nga Monroe
Franca përfaqësohet nga Monroe, vetëm 17 vjeçe, artistja më e re e këtij edicioni. “Regarde!” është një këngë pop-operistike, me ndikime që të kujtojnë Rosalía-n. Duke qenë se dy fituesit e fundit të Eurovisionit kanë pasur elemente vokale operistike, Franca synon ta vazhdojë këtë prirje. Skenografia e Monroe-s frymëzohet nga “Les Misérables” dhe piktura romantike e fundit të shekullit XIX.
Australi – “Eclipse” nga Delta Goodrem
Australia ka zgjedhur një emër të njohur: Delta Goodrem. Artistja ka shitur mbi 8 milionë albume, i ka mbijetuar kancerit dhe prej vitesh është një figurë e rëndësishme e muzikës pop australiane. “Eclipse” është një baladë e fuqishme, e frymëzuar nga Céline Dion, që flet për një pasion aq të madh sa “errëson diellin”. Australia kërkon ende fitoren e parë në Eurovision..
Greqi – “Ferto” nga Akylas
Akylas u bë i njohur në Greqi përmes versioneve të tij me ukulele në TikTok. Në Eurovision vjen me “Ferto”, një këngë ritmike që përzien instrumente tradicionale, tinguj elektronikë dhe beat-e house. Teksti nis me dëshirën për famë dhe para, por më pas shndërrohet në një dedikim prekës për nënën e tij, e cila e rriti e vetme gjatë krizës financiare në Greqi. Performanca pritet të jetë tepër dinamike, me kostume me print tigri, grafika video-lojërash, statuja që “marrin jetë” dhe Akylas që lëviz në skenë me skuter.
Qipro – “Jalla” nga Antigoni
“Jalla” është një nga këngët më të klikuara të këtij viti në YouTube. Antigoni, e lindur në Londrën Veriore, është e njohur edhe nga pjesëmarrja në “Love Island” dhe është vajza e kuzhinieres televizive Tonia Buxton. Kënga ka nuanca verore dhe sensuale, me ndikime që të kujtojnë Shakira-n. Megjithatë, videoklipi ka shkaktuar reagime në Qipro, ku disa figura publike e kanë cilësuar si “jo të rafinuar” dhe “fyese për historinë qipriote”.
Lituani – “Sólo Quiero Más” nga Lion Ceccah
Lituania sjell një baladë dramatike për rrezikun e inteligjencës artificiale. Kënga, e interpretuar në gjashtë gjuhë, i bën thirrje publikut të shkëputet nga algoritmet dhe të rikthehet te realiteti njerëzor. Për ta theksuar mesazhin, artisti drag Lion Ceccah shfaqet i lyer nga koka te këmbët me bojë argjendi, si një robot retro.
Gjermani – “Fire” nga Sarah Engels
Gjermania vjen me një formulë që historikisht ka funksionuar mirë në Eurovision: një këngëtare solo, këngë pop në anglisht dhe tekst me temë dashurie. Sarah Engels është gjithashtu një nga konkurrentet më të ndjekura në rrjetet sociale, me rreth 2.5 milionë ndjekës në Instagram dhe TikTok. “Fire” është një këngë dance-pop me ritëm ngjitës, që të kujton stilin e Dua Lipës, ndërsa në skenë Engels shoqërohet nga balerina në stilin e Pussycat Dolls.
Bullgari – “Bangaranga” nga Dara
Dara vjen me përvojë të konsoliduar në skenën pop. Ajo u bë e njohur si finaliste e “X Factor”, ka pasur disa hite në Top 10 dhe ka qenë dy herë mentore fituese në “The Voice of Bulgaria”. “Bangaranga” është një këngë klubi me tekst të guximshëm, ritëm të fortë dhe pjesë kërcimi të ndërtuara për skenën e madhe të Eurovisionit.
Austri – “Tanzschein” nga Cosmó
Si vend pritës, Austria synon të përsërisë suksesin pas fitores së mëparshme. Cosmó, 19 vjeç, ish-finalist i “The Voice Kids”, vjen me një pamje të frymëzuar nga David Bowie dhe me një yll blu të pikturuar në fytyrë. “Tanzschein”, që përkthehet “licencë për të kërcyer”, është një këngë synth-pop që i fton njerëzit të lënë mënjanë pozat dhe të çlirojnë energjinë e tyre. Në skenë, ai do të shoqërohet nga figura gorillash dhe luanësh, fatmirësisht jo të vërtetë. /GazetaExpress/
Fluturime nga Düsseldorfi për në Prishtinë dhe anasjelltas me çmime shumë të volitshme Reisebüro Prishtina ofron sherbime të sigurta,...