Barcelona e ka arritur marrëveshjen me Hansi Flick për vazhdimin e kontratës së trajnerit gjerman deri në vitin 2028, me opsion zgjatjeje edhe për një sezon tjetër, deri në 2029.
Sipas mediave spanjolle, marrëveshja është finalizuar pas takimeve mes menaxherit të Flick, Pini Zahavi, presidentit Joan Laporta dhe drejtorit sportiv Deco, përcjell “Gazeta Express”.
Klubi katalunas dëshiron të sigurojë vazhdimësi teknike pas rezultateve pozitive të arritura nën drejtimin e ish-trajnerit të Bayern Munichut.
Flick i ka bindur drejtuesit e Barcelonës me stilin e lojës dhe menaxhimin e skuadrës, ndaj vazhdimi i kontratës konsiderohet një prioritet për projektin sportiv të viteve të ardhshme.
Kontrata e re do ta lidhë trajnerin gjerman me “Blaugrana” deri në qershor të vitit 2028, ndërsa klauzola për vitin 2029 do të aktivizohet në bazë të objektivave sportive dhe marrëveshjes mes palëve.
Kontrata zyrtare pritet të vijë pas përfundimit të sezonit. /Gazeta Express