Superkupa e Italisë nuk do të zhvillohet në Arabinë Saudite për edicionin 2026-27, ka konfirmuar presidenti i Lega Serie A, Luigi De Siervo.
Edicioni i fundit i Superkupës ishte luajtur në Arabinë Saudite dhe organizatorët kishin opsion kontraktual për ta pritur edhe sezonin e ardhshëm, por duket se kanë vendosur të mos e aktivizojnë atë klauzolë.
“Është një çështje e komplikuar, kemi disa kontrata dhe mund të themi se nuk do të luhet në Arabinë Saudite,” deklaroi De Siervo për “RAI Radio Parlamento”.
“Aktualisht ekziston ideja që të luhet në SHBA, një tjetër opsion ndërkombëtar, por gjithashtu edhe mundësia që për një vit të zhvillohet në Itali”, shtoi ai.
Superkupa italiane pritet të vazhdojë me formatin “Final Four”, që përfshin gjysmëfinale mes fituesit të Serie A dhe finalistit të humbur të Kupës së Italisë, si dhe përballjen tjetër mes fituesit të Kupës dhe nënkampionit të ligës.
Fituesit e dy gjysmëfinaleve përballen më pas në finale për trofeun.
Edicioni i dhjetorit 2025 u fitua nga Napoli, që mposhti Bolognan në finale.
Superkupa zakonisht luhet në stadiume neutrale, ndaj organizatorëve do t’u duhet të gjejnë impiante të përshtatshme për formatin e ri.
Ekziston edhe një problem tjetër me këtë format, pasi Interi fitoi titullin kampion dhe njëkohësisht është finalist i Kupës së Italisë, çka do të thotë se duhet të përfshihet një skuadër shtesë për të plotësuar katërshen e turneut./GazetaExpress/