Kanë kaluar shtatë sezone, derisa po përfundon i teti, që Vëllaznimi është pa Superligë.
Mirëpo, kjo vuajtje tetë-sezonëshe mund të marrë fund sivjet, shkruan “Gazeta Express”.
Skuadra gjakovare është shumë afër rikthimit në elitë, me dy xhiro nga fundi i Ligës së Parë, megjithatë, rikthimi i mundshëm varet edhe nga rezultatet e skuadrave tjera.
Vëllaznimi ndodhet pranë arritjes së objektivit të madh dhe po e nuhat rikthimin në Superligë, por që ka një konkurrencë të ashpër me Vushtrrinë, Feronikelin ’74 e Dinamo Ferizaj.
Tifozët gjakovarë shpresojnë që ta mbyllin këtë sezon me sukses – të kthehen aty ku klubi ka qenë pjesë për periudhë të gjatë – në Superligën e Kosovës
Vëllaznimi momentalisht është i katërti me 67 pikë, derisa ka dy pikë më pak se liderja, Vushtrria.
Mes tyre janë Feronikeli ’74 e Dinamo Ferizaj me nga 68 pikë, në vendin e dytë dhe të tretë, respektivisht.
Vëllaznimi xhiron e radhës do të luajë me KEK-un, i cili veçse është rënë nga liga.
Në xhiron e fundit, skuadra gjakovare do të ketë punë në shtëpi me Vushtrrinë, me një fitore aty që do t’i kryente punë të madhe, për një vend në elitë, në sezonin e ri.
Kampioni i Ligës së Parë dhe vendi i dytë shkojnë direkt në Superligën e Kosovës.
Vendi i tretë dhe i katërti shkojnë në barazhin e Ligës së Parë (gjysmëfinalen e barazhit).
Fituesi i kësaj përballjeje do të luajë me vendin e tetë të Superligës së Kosovës, që për momentin mbahet nga Llapi./GazetaExpress/