Real Madridi ka pësuar humbje ndaj Barcelonës në “El Clasico” të së dielës, duke humbur përfundimisht titullin e La Ligas dhe duke mbyllur një sezon zhgënjyes në “Bernabéu”.
Pas këtij sezoni të dobët, në Madrid po shtrohet pyetja kryesore: çfarë do të ndryshojë presidenti Florentino Perez për sezonin e ardhshëm.
Gjithçka fillon me trajnerin. Alvaro Arbeloa nuk pritet të vazhdojë, dhe sipas raportimeve, opsioni më i mundshëm për zëvendësim është Jose Mourinho.
Perezi thuhet se e ka bërë Mourinhon prioritet kryesor për stolin e Real Madridit këtë verë, duke e parë si “opsionin e vetëm të vlefshëm”, dhe pritet t’ia komunikojë këtë plan bordit të klubit në ditët në vijim.
Edhe pse Mourinho vazhdon të mohojë kontaktet direkte me Real Madridin, raportimet sugjerojnë se bisedat mund të jenë duke u zhvilluar përmes agjentit të tij Jorge Mendes dhe drejtuesve të klubit.
Sipas “Diario AS”, Mourinho ka vendosur dy kërkesa kryesore për një rikthim në “Bernabéu”.
E para është që ai të ketë ndikim në vendimet për përforcimet e skuadrës gjatë merkatos së verës, jo domosdoshmërisht për lojtarë specifikë, por për pozicionet që duhet të forcohen.
E dyta është që Mourinho të ketë autoritet të plotë disiplinor mbi lojtarët, pa iu sfiduar autoriteti i tij nga brenda klubit.
Ai gjithashtu dëshiron t’i përgjigjet vetëm Florentino Perezit, pa ndërhyrje nga figura të tjera të klubit.
Duke marrë parasysh mënyrën se si Real Madridi u shua këtë sezon, duket e mundshme që Perezi do të kërkojë ndryshime të mëdha në merkato, përfshirë edhe disa largime që më parë nuk konsideroheshin.
Megjithatë, klubi pritet të vazhdojë me një politikë relativisht të kujdesshme në shpenzime, duke investuar kryesisht në lojtarë të rinj, siç ka ndodhur në vitet e fundit, përveç rasteve të veçanta si transferimi i Kylian Mbappes./GazetaExpress/