Mauro Icardi ka reaguar sërish publikisht për situatën e tij familjare me Wanda Naran, duke bërë deklarata të forta lidhur me konfliktin që i ka përfshirë prej kohësh.
Sulmuesi argjentinas shprehet i zhgënjyer me mënyrën se si po trajtohet çështja nga sistemi gjyqësor, të cilin e konsideron të papërshtatshëm për ta zgjidhur një situatë kaq të ndjeshme familjare.
Icardi thekson se vendimet që po merren nuk po e pasqyrojnë realisht interesin e fëmijëve dhe as lidhjen e tyre emocionale me të si baba, përcjell “Gazeta Express”.
Në deklaratat e tij, ai nënvizon se vajzat e tij janë gjëja më e rëndësishme në jetën e tij dhe se ai i konsideron ato “pjesë të vetes”, duke shtuar se ndarja nga to është një nga gjërat më të vështira që po e përjeton.
Futbollisti i Galatasarayt shprehet gjithashtu se po përballet me një situatë të padrejtë dhe se ndihet i kufizuar në rolin e tij si prind, duke kërkuar që çështja të trajtohet me më shumë drejtësi dhe humanizëm.
Sipas ish-futbollistit të Sampdorias, Interit e Paris Saint-Germainit, qëllimi i vetëm është të jetë pranë vajzave të tij dhe ta ruajë një marrëdhënie të shëndetshme me to, pavarësisht konfliktit të vazhdueshëm me Wanda Naran.
Icardi rikthen kështu në vëmendje një histori të gjatë tensioni mes tyre, e cila nuk është kufizuar vetëm në jetën private, por ka kaluar edhe në procese ligjore dhe deklarata publike të përsëritura nga të dy palët. /Gazeta Express