Jep dorëheqje Përfaqësuesi i Lartë i bashkësisë ndërkombëtare në BeH, Christian Schmidt - Gazeta Express
string(86) "jep-doreheqje-perfaqesuesi-i-larte-i-bashkesise-nderkombetare-ne-beh-christian-schmidt"

Lajme

Gazeta Express

10/05/2026 23:08

Jep dorëheqje Përfaqësuesi i Lartë i bashkësisë ndërkombëtare në BeH, Christian Schmidt

Lajme

Gazeta Express

10/05/2026 23:08

Pas gati pesë viteve në krye të Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë të bashkësisë ndërkombëtare (OHR) në Sarajevë, politikani gjerman, Christian Schmidt, ka njoftuar përfundimin e misionit të tij.

Ky lajm, fillimisht iu bë i ditur gazetës prestigjioze gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” (FAZ).

Megjithatë, vlerësohet se pas kësaj dorëheqjeje në dukje vullnetare, fshihet një dramë e vërtetë diplomatike dhe një përplasje e paprecedentë mes Berlinit dhe Washingtonit për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor.

Zyra e Përfaqësuesit të Lartë është një institucion që ekziston që nga fundi i luftës në Bosnjë, një konflikt që nga viti 1992 deri në 1995 kushtoi mbi 100 mijë jetë njerëzish dhe detyroi miliona të tjerë të braktisnin shtëpitë e tyre.

Detyra e këtij institucioni është mbikëqyrja e rendit të pasluftës dhe respektimi i Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit, e cila u arrit me ndërmjetësimin e SHBA-së.

Sipas raportimeve të FAZ, largimi i Schmidtit ka qenë temë diskutimi në qarqet diplomatike të Sarajevës prej kohësh, por dorëzimi i detyrës nuk po bëhet me dëshirën e tij.

Gazeta zbulon se prej muajsh, Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar nga Schmidt në një ton gjithnjë e më të ashpër, dhe së fundmi madje në formë ultimative, që ai të largohet sa më shpejt nga zyra, me qëllim instalimin e një pasardhësi më të dëgjueshëm apo “më të lehtë për t’u menaxhuar” nga Washingtoni.

Në raportin e tij të fundit drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, António Guterres, Schmidt bëri paralajmërime që rrallëherë dëgjohen në gjuhën diplomatike.

Sipas draftit të siguruar nga FAZ, ai paralajmëron për një shpërbërje të afërt të Bosnjës dhe një “demontim” të qëllimshëm të strukturave shtetërore.

Në qendër të këtij rreziku qëndron udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, i cili vazhdon të mbajë pushtetin absolut në Republika Srpska, pavarësisht se vendimet e Gjykatës Kushtetuese ia ndalojnë mbajtjen e posteve zyrtare për vite me radhë.

Dodik, një mbështetës i devotshëm i Vlladimir Putinit dhe një nga politikanët e paktë evropianë që mori pjesë në paradën ushtarake të 9 majit në Moskë, po përdor një retorikë gjithnjë e më agresive që shënjestron hapur boshnjakët myslimanë për motive etnike dhe fetare.

Schmidt thekson se si Bosnja po mbahet peng nga Republika Srpska përmes bllokimit të emërimeve të gjyqtarëve, paralizimit të dhomës së lartë të parlamentit dhe “vdekjes financiare” të institucioneve shtetërore.

Ushtria, policia dhe transmetuesi publik janë lënë në harresë dhe pa financa me qëllim dobësimin e tyre deri në shpërbërje.

Përveç kësaj, Përfaqësuesi i Lartë kritikon edhe aktorët kroatë që kërkojnë një “entitet të tretë”, duke i cilësuar këto si përpjekje për të ndarë vendin përgjatë vijave etnike dhe për të shkatërruar karakterin multireligjioz e multikulturor të Bosnjës.

Ai hedh poshtë narrativat që e paraqesin Bosnjën si një fushëbetejë të “përplasjes së qytetërimeve” ku krishterimi gjoja sulmohet nga islami radikal, duke i quajtur këto pretendime si mjete për të justifikuar ndarjen e shtetit.

Sipas analizës së “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, ky ndryshim drastik i kursit amerikan mund të jetë i lidhur me interesa të pastra ekonomike të rrethit të ngushtë të Donald Trumpit.

Gazeta përmend një kompani amerikane të panjohur deri vonë, e drejtuar nga biznesmenë pranë Trumpit, e cila synon ndërtimin e një gazsjellësi nga bregdeti kroat drejt Bosnjës për të shitur gaz amerikan.

BE ka shprehur rezerva ndaj kësaj nisme biznesore.

Dodik, i cili tradicionalisht ka bllokuar çdo nismë amerikane, papritur ka dhënë mbështetje të plotë për këtë projekt.

Në këmbim, Washingtoni duket se ka sakrifikuar Schmidtin, të cilin Dodik dhe Moska e quajnë me përbuzje “Gauleiter” (udhëheqës krahine në Gjermaninë naziste).

Ky “pazar” diplomatik u parapri nga heqja e sanksioneve amerikane ndaj familjes Dodik në tetor 2025 dhe vizita e të birit të Trumpit, Donald Trump Jr., në Banjallukë.

Në një koment FAZ thekson se dorëheqja e Schmidtit është shumë më tepër se një ndryshim personeli; ajo shënon një thyerje të stabilitetit evropian.

Për tri dekada, Evropa dhe SHBA-ja ishin në të njëjtën anë në Ballkan, por tani administrata e Trumpit po rreshtohet krah Dodikut, shkaktarit më të madh të trazirave në rajon.

Ky bashkëveprim informal mes Washingtonit dhe Moskës kundër stabilitetit të një rajoni të rrethuar nga BE-ja është një dhuratë për Putinin, komenton FAZ.

Diplomati austriak Wolfgang Petritsch ka kujtuar për gazetën se SHBA-ja nuk mund të vendosë e vetme në Këshillin për Implementimin e Paqes, por mbetet pikëpyetje nëse Gjermania dhe vendet e tjera të BE-së do të zgjedhin të hyjnë në një konflikt të hapur me Trumpin në lidhje me Bosnjën. /Telegrafi/

Advertisement
Advertisement
Advertisement