Shkruan: Namik Dokle
Të dashur Lavdie, Arben, Erli, vëlla Zeqir e motër Fitrete; mbesa, nipër dhe të afërm të tjerë të prof. Servetit
Miq, shokë e dashamirës,
Shumë e vështirë qenka t’i mbledhësh fjalët që do të thuash në lamtumirën e një njeriu të dashur, miku dhe shoku, bashkudhëtari dhe bashkëluftëtari të viteve kur kishte më shumë dilema e më pak siguri, më shumë turbullira e më pak vizion, më shumë tronditje se vetëpërmbajtje. Të viteve kur në vend të ndarjes duhej bashkimi, në vend dëshpërimit duhej shpresa, në vend të dyshimit duhej besimi, në vend të urrejtjes duhej dashuria. Është e vështirë t’i mbledhësh fjalët, kur shpirtin ta ka goditur lajmi i trishtë dhe tronditës i ndarjes nga jeta të një njeriu si profesor Servet Pëllumbi. Një jetë e tërë njerëzore dhe politike derdhet në ekranin e kujtesës, që nga dita e parë e themelimit të Partisë Socialiste, në betejat e vështira opozitare, në udhët dhe rrëpirat e demokracisë së brishtë, në mundimet e ndërtimit të një shoqërie normale, me njerëzit dhe për njerëzit.
Dhe gjithmonë ai ishte aty; aty ku duhej më shumë mençuri, ku duhej më shumë besim, më shumë kurajë, më shumë largpamësi. Është për këtë arsye që të gjithë e quajtëm, të gjithë e njohën dhe e pranuan si Profesorin e Socialistëve. T’i lësh trashëgim një force politike, madje një vendi të tërë, imazhin e një epoke, kjo nuk është një lavdi e papërfillshme, përkundrazi. Profesor Servet Pëllumbi ishte protagonist i historisë udhëheqëse të PS në një kohë të vështirë e të rëndë të tranzicionit politik të Shqipërisë. Urtësia dhe intelektualizmi i tij, qytetaria shembullore dhe guximi politik, i shërbyen jo vetëm forcës politike ku ishte një nga drejtuesit kryesorë, por edhe gjithë shoqërisë.
Thonë se jeta nuk është ajo që dikush jeton, por ajo që lë pas vetes për t’u kujtuar dhe treguar. Profesor Servet Pëllumbi ishte ndër të parët politikanë të tranzicionit shqiptar, e ndoshta edhe ndër të paktët, që kuptoi se e ardhmja nuk është më ajo që ishte. Dhe iu përkushtua, si mendimtar dhe udhëheqës politik, si veprimtar dhe organizator, ndërtimit të një demokracie reale, vepruese dhe të padeformuar nga ambicie të errëta, nga mllefi dhe bajraktarizmi, nga makutëria dhe mashtrimi. Thelbi i ndryshimit, në konceptimin e tij, ishte ndërtimi i një shoqërie që funksionon, ndërtimi i një Shqipërie normale. Ai komunikonte me kohën nëpërmjet problemeve që shqetësonin shoqërinë dhe jo në të kundërtën. Ai mendonte se qeverisja dhe politika e mirë fillon te pragu i derës së çdo qytetari. Ai kërkonte që çdo shqiptari të mos i bëhej pyetja “nga vjen?”, por secili të pyetet se “ku dëshiron të shkojë”, duke gjetur kështu, të gjithë së bashku, rrugën drejt Europës së re e të bashkuar.
“Mungesa e një mendimi intelektual kritik, në kuptimin e thellë dhe koherent të termit, – thoshte profesor Serveti – është fragjiliteti më i madh i kësaj etape që kalojmë”. Nëse nuk kemi një vizion të qartë europian, nuk është e mundur të ndërtojmë një projekt të tillë kompleks. Prandaj, në librat e shumtë që shkroi, në diskutime të niveleve të larta, në prezencën dhe drejtimin e Kuvendit, ai, me forcën e mendimtarit dhe efikasitetin e udhëheqësit politik, i mëshoi idesë dhe domosdoshmërisë që vlerat europiane t’i bartim në çdo qelizë të shoqërisë shqiptare. Ai udhëhiqej nga ideja e Ajnshtajnit se për të zgjidhur problemet e një shoqërie, më parë e mbi të gjitha, duhet të ndryshojmë mentalitetin që i ka pjellë ato probleme. Dhe, natyrisht, jo gjithmonë ishte i lumtur për këtë aspekt të realiteteve tona.
Edhe në vendin tonë, për fat të keq, intelektualët nuk janë gjithmonë edhe liderë të opinionit publik, ndikimi shoqëror nuk është domen i tyre, por është zëvendësuar nga komunikuesit radio-televizivë, ashtu si kantautorët zëvendësojnë poetët e vërtetë. Profesor Servet Pëllumbi bëri përpjekje të jashtëzakonshme për të kundërtën. Si mendimtar dhe si lider luftoi që politika të gjenerojë kapitalin njerëzor, që shoqëria të mund të zhvillohet, të mbajë në një nivel të mirë kohezionin brenda vetes dhe të adaptohet me ndryshimet e shpejta që përjetojmë. Atë e shqetësonte shumë ajo lloj politike që transformohet në artin e mprehtë të marrjes së votave nga të varfrit dhe të parave nga të pasurit, ndërkohë që u premton të dyja palëve se do t’i mbrojë nga njëra-tjetra. Dhe i gjithë mendimi i tij filozofik përmblidhej në sentencën se “nuk jetojmë një epokë ndryshimesh, por jetojmë një ndryshim epokash” e prandaj duhet të jemi në lartësinë e këtyre ndryshimeve. Në periudhën më të vështirë të socialistëve në opozitë, kur kryetari Fatos Nano ishte në burg, ai mbajti mbi supe përgjegjësi të mëdha, i përballoi ato me sakrificë dhe e drejtoi Partinë me maturi, guxim dhe integritet. Ishte sinonim i ndershmërisë dhe përkushtimit. Ai ka merita të padiskutueshme në modernizimin europian të PSSH dhe në krijimin e një modeli demokracie të brendshme të pazakontë. Duke folur sot në lamtumirën e njeriut me të cilin patëm një miqësi të pakushtëzuar, të sinqertë e të ndershme, kujtoj një lamtumirë tjetër, plot tridhjetë vjet më parë. Po kthehesha nga një udhëtim jashtë shtetit me merakun se kisha lënë nënën të sëmurë dhe, në aeroport, më priti profesor Serveti. Pse paske dalë, profesor? Dola për ty, më tha. Ah, më paska lënë nëna… Po, më tha, dhe atë përqafim të tij nuk mund ta harrojë kurrë. Ashtu si mijëra njerëz, në gjithë Shqipërinë, kurrë nuk do ta harrojnë dimensionin njerëzor të prof. Servetit. Ai ishte Mik i Popullit. Çdo ditë, po, çdo ditë, takonte njerëzit, të njohur dhe të panjohur, intelektualë dhe artistë, punëtorë dhe të papunë, studentë dhe fshatarë, socialistë dhe josocialistë. Dëgjonte pyetjet dhe u përgjigjej të gjithëve, dëgjonte hallet dhe përpiqej t’i zgjidhte. Ishte politikan, ishte filozof, ishte mendimtar, por mbi të gjitha, ishte njeri. Njeri që mbetet përgjithmonë në përjetimet e njerëzve.
Lamtumirë, i dashur Profesor!