Arkeologët kanë zbuluar një varëse të vogël bronzi në formë fallusi (penisi) nën terrenin e Carlisle Cricket Club, në një zonë ku dikur ndodhej një banjë romake.
Objekti, rreth 3 centimetra i gjatë, besohet se është përdorur si hajmali për fat të mirë dhe mbrojtje nga e keqja. Sipas ekspertëve, ndonëse sot një simbol i tillë mund të duket i pazakontë, për romakët fallusi kishte domethënie mbrojtëse dhe lidhej shpesh me fatin, pjellorinë dhe sigurinë.
Gërmimet në këtë zonë kanë nisur që në vitin 2017 dhe deri tani kanë nxjerrë në dritë dhjetëra objekte historike, përfshirë fragmente qeramike, pjesë kolonash, koka të mëdha guri dhe artefakte që datojnë deri në Epokën e Bronzit.
Drejtuesi i gërmimeve, Frank Giecco, tha për BBC se ky është objekti i parë i këtij lloji i gjetur në sit. Ai e përshkroi varësen si një objekt “të vogël, por të punuar bukur në bronz”.




Në botën romake, simbolet fallike ishin të përhapura në forma të ndryshme. Ato mbaheshin si stoli, vendoseshin në rripa, gdhendeshin në mure ose përdoroheshin nga ushtarët si hajmali para betejave. Romakët besonin se këto simbole largonin shpirtrat e këqij dhe sillnin mbrojtje.
Pak ditë pas zbulimit të parë, vullnetarët gjetën edhe një objekt tjetër të vogël me formë dhe dizajn të ngjashëm, që gjithashtu besohet të ketë qenë një amulet romak.
Sasia e madhe e objekteve romake të zbuluara nën klubin e kriketit lidhet me rëndësinë historike të Carlisle-it në periudhën romake. Qyteti, i njohur atëherë si Luguvalium, ishte një vendbanim i rëndësishëm pranë Murit të Hadrianit, kufirit verior të Perandorisë Romake në Britani.
Falë pozicionit strategjik në kryqëzimin e dy rrugëve të rëndësishme, Luguvalium u zhvillua si qendër ushtarake dhe tregtare. Në kulmin e tij, qyteti strehonte një garnizon legjionar dhe një njësi me rreth 1 mijë ushtarë.
Sipas Giecco-s, ky amulet i vogël ofron një dritare të veçantë mbi besimet dhe mendësinë e njerëzve që jetuan në Carlisle rreth 1,800 vjet më parë.
Objekte të ngjashme janë zbuluar edhe më herët në Britani. Në vitin 2021, arkeologët gjetën pranë Cambridge-it një gur mulliri romak të dekoruar me një gdhendje fallike. Simbole të tilla janë gjetur edhe në Pompeii, ku lidhen me mbrojtjen, pjellorinë dhe mbarësinë. /GazetaExpress/