Ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka pritur sot në takim ambasadorin gjerman në Kosova, Rainer Rudolph.
Përmes një njoftimi për media, bëhet e ditur se Krasniqi dhe Rudolph kanë zhvilluar një bisedë lidhur me bashkëpunimin ndërmjet komunave, si dhe punën dhe prioritetet e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.
Ministri Krasniqi theksoi rëndësinë e dialogut të hapur, bashkëpunimit praktik dhe fokusit në projekte konkrete që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.
Nga ana tjetër, ambasadori Rudolph vlerësoi punën e MAPL-së, ndërsa Krasniqi e falënderoi për mbështetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm.
Sipas njoftimit, bashkëpunimi ndërinstitucional dhe partneriteti mbeten kyçe për avancimin e qeverisjes lokale dhe zhvillimin e qëndrueshëm në vend.