Edhe pse s’po luan shumë në fushën e lojës, Edon Zhegrova po përmendet shumë nga faqja zyrtare e Juventusit në rrjetet sociale.
Me veprimet e tij në pak minuta që po i luan, po i merr zemrën tifozëve në tribuna, por jo vetëm.
Pasi edhe faqja zyrtare e “Zonjës së Vjetër” nuk po ndalet duke postuar rreth yllit të kombëtares së Kosovës.
Në një video të fundit të Zhegrovës, shihet ylli dardan duke ia futur topin mes këmbëve kundërshtarit, me Juventusin që mburret me veprimin e sulmuesit anësor.
Juventusi e ka ndarë një video të këtij veprimi, dhe e ka publikuar në “Instagram”, me këtë veprim që ndodhi në ndeshjen e fundjavës ndaj Hellas Veronës, të cilën klubi bardhezi nga Torino e barazoi 1-1 në shtëpi.
Zhegrova megjithatë luajti vetëm 11 minuta në këtë përballje, duke qenë shumë afër golit të tij të parë me fanellën juventine, por një gjë e tillë iu mohua nga shtylla.
Në përgjithësi, Zhegrova ka 24 paraqitje me Juventusin në këtë sezon (vetëm një e ka nisur nga fillimi), pa arritur të shënojë ose të asistojë në këto përballje.
Zhegrova kaloi te Juventusi në verën e vitit 2025 nga Lille, për shumën e 15.5 milionë eurove, e cila mund të shkojë në 20 milionë euro, nëse arrihen disa bonuse të caktuara./GazetaExpress/