Koalicioni i organizatave për vëzhgimin e zgjedhjeve “Demokracia në Veprim” vlerëson se një rregullore për vëzhguesit e zgjedhjeve, e miratuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më 29 prill, përmban dispozita që “tejkalojnë kornizën e përcaktuar në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe që cenojnë drejtpërdrejt mënyrën e ushtrimit të vëzhgimit të zgjedhjeve nga organizatat e shoqërisë civile”.
“Ndryshe nga rregullativa paraprake, që akreditimin e organizatave vëzhguese e bazonte në verifikim formal të kërkesave ligjore, më rregulloren e re procesi kthehet në mekanizëm kufizues, pengues dhe kontrolli ndaj shoqërisë civile në vëzhgim të zgjedhjeve. Kjo rregullativë nuk buron nga ligji, dhe si e tillë cenon lirinë e asociimit dhe parimin e sigurisë juridike të organizatave. Për më keq, vetë procesi i hartimit dhe miratimit të kësaj rregulloreje është zhvilluar pa asnjë konsultim paraprak me organizatat e shoqërisë civile dhe pa asnjë njoftim publik”, thuhet në komunikatën e DnV.
Konkretisht, DnV thotë se “rregullorja përmban dispozita [Neni 3.6] që kundërligjshëm i japin mandat KQZ-së që të refuzojë akreditimin e një organizate vëzhguese mbi bazën e “të dhënave nga institucionet kompetente për rrezik ndaj rendit juridik dhe kushtetues”. Kjo përgjegjësi nuk është në mandatin e KQZ-së, pasi që vetëm gjykatat kanë kompetencë për të vendosur për situata të tilla”.
“Po ashtu, është shtuar dispozitë [Neni 3.4] që i japin KQZ-së autoritet përtej ligjit që, sipas vlerësimit të saj, të kërkojë dokumente shtesë lidhur me burimet e financimit të organizatave për vëzhgimin e zgjedhjeve. Vëzhgimi i zgjedhjeve nuk kushtëzohet me ekzistencën e fondeve të dedikuara, meqë e drejta për vëzhgim, si e drejtë qytetare mund të ushtrohet edhe mbi baza vullnetare. Për më tepër, çështja e burimit të financimit të OJQ-ve është e rregulluar me legjislacion tjetër, monitorimi i së cilave është në përgjegjësi të institucioneve tjera shtetërore. Si kriter për akreditim të organizatave vëzhguese, Rregullorja [Neni 3.2] kërkon gjithashtu dorëzimin e të dhënave të detajuara, përfshirë themeluesit dhe strukturën drejtuese dhe raportet vjetore të OJQ-së, duke e zgjeruar ndjeshëm gamën e informacionit që duhet dorëzuar për akreditim. Ligji e përcakton qartazi që kriter për akreditim të organizatave është certifikata e regjistrimit dhe statuti i organizatës, përmes së cilave verifikohet fushëveprimi i organizatës, i cili duhet të jetë në fushën e zgjedhjeve apo të drejtave të njeriut”, thuhet në reagim.
DnV tha se kishte rekomanduar që KQZ-ja “të mos lejojë angazhimin e komisionerëve, stafit zgjedhor apo vëzhguesve të cilët janë dënuar apo janë në procedurë hetimore për shkeljet zgjedhore”.
“Sidoqoftë, në rregulloren e re [Neni 3.8] ky kufizim është përcaktuar vetëm për vëzhguesit, e jo edhe për komisionerët dhe stafin zgjedhor – që përbën diskriminim dhe cenim të parimit të barazisë para ligjit. Për më tepër, përgjegjësia për verifikim duhet të bjerë mbi KQZ-në dhe institucionet tjera publike, e jo tek organizatat vëzhguese apo vetë vëzhguesit. Në këtë Rregullore [Neni 8.4] është përcaktuar që vetëm organizatat e akredituara vëzhguese mund të dërgojnë vëzhgues në takimet e KQZ-së dhe KKZ-ve. Kjo dispozitë është në shkelje të nenit 9 të Ligjit për Zgjedhje, i cili thekson se mbledhjet e KQZ-së janë të hapura për publikun, pa përjashtim, përpos rasteve kur diskutohet për çështje lidhur me personelin e KQZ-së”.
“Demokracia në Veprim” thotë se “vëzhgimi i zgjedhjeve është thelbësor për transparencën e procesit zgjedhor dhe për besimin e publikut në rezultatet e tij. Vendosja e kushteve dhe kërkesave shtesë përtej ligjit, ndikon drejtpërdrejt në mënyrën se si realizohet vëzhgimi në praktikë, duke kufizuar hapësirën për vëzhgim dhe për rrjedhojë edhe nivelin e integritetit dhe legjitimitetit të procesit zgjedhor”.
“Për këto arsye, Demokracia në Veprim kërkon nga KQZ që sa më parë të rishqyrtojë Rregulloren Zgjedhore Nr. 04/2026, të largojë dispozitat që tejkalojnë bazën ligjore dhe të sigurojë që rregullimi i vëzhgimit të zgjedhjeve të mbështetet në standarde demokratike të qarta, të barabarta dhe të zbatueshme për të gjithë”.