Një incident i tmerrshëm ka ndodhur të dielën në aeroportin ndërkombëtar të New Yorkut në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku një avion i kompanisë United Airlines është përfshirë në një përplasje gjatë fazës së uljes.
Avioni ka goditur një shtyllë ndriçimi teksa po kalonte mbi zonën e New Jersey-t, në përpjekje për t’u ulur në pistë.
Sipas Foxnews një nga gomat e sistemit të uljes së avionit është shkëputur gjatë kontaktit dhe ka goditur shtyllën e ndriçimit, e cila më pas ka rënë dhe ka përplasur një kamion që ndodhej në afërsi, ku si pasojë, shoferi i kamionit ka pësuar lëndime të lehta trupore, transmeton Klankosova.
Pavarësisht incidentit, avioni ka arritur të ulet në mënyrë të sigurt në aeroport, duke shmangur një situatë edhe më të rëndë.
Aeroplani kishte fluturuar nga Venecia e Italisë drejt ShBA-së dhe në bord ndodheshin mbi 200 pasagjerë dhe anëtarë të ekuipazhit.
Kompania ajrore United Airlines ka konfirmuar se avioni do t’i nënshtrohet një kontrolli të detajuar për të vlerësuar çdo dëmtim të mundshëm, ndërsa autoritetet amerikane kanë nisur hetimet përmes Bordit Kombëtar të Sigurisë së Transportit (NTSB) për të sqaruar plotësisht rrethanat e incidentit.