Prokuroria në Prizren ka bërë të ditur se ka siguruar një urdhër për të ngrirë 42 prona në vlerë rreth 3 milionë euro.
Kjo në një rast të falsifikimit të dokumenteve e legalizimit të përmbajtjes së rreme.
“Në kuadër të hetimeve, prokuroria është duke zhvilluar procedurë penale ndaj tre personave fizikë, dy prej të cilëve të trajtuar nën masat e sigurisë për prezencën e të pandehurve në procedurë”.
Njoftimi i plotë i Prokurorisë
Në një proces hetimor që është duke vazhduar, Prokuroria Themelore në Prizren është duke trajtuar një rast që lidhet me veprat penale të falsifikimit të dokumenteve, legalizimit të përmbajtjes së rreme dhe mashtrimit, me qëllim përfitimi pasuror dhe pengimin e kthimit të pronave te pronari i ligjshëm.
Prokuroria Themelore në Prizren ka arritur të sigurojë Urdhrin Ndalues Përfundimtar për të gjitha pronat e të dëmtuarit, duke mundësuar ngrirjen e 42 pronave me vlerë të përgjithshme të tregut rreth 3 milion euro. Këto prona pritet që, pas përfundimit të procedurës penale, t’i kthehen të dëmtuarit.
Në kuadër të hetimeve, prokuroria është duke zhvilluar procedurë penale ndaj tre personave fizikë, dy prej të cilëve të trajtuar nën masat e sigurisë për prezencën e të pandehurve në procedurë.
Rasti është duke vazhduar të hetohet dhe opinioni publik do të mbahet i informuar për zhvillimet e mëtejme.