Gjykata e Apelit ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin Astrit Goqi dhe Luan Krasniqi u liruan nga akuza për krim të organizuar lidhur me shitblerje të narkotikëve.
“REFUZOHET si e pa bazuar ankesa e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ndërsa Aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, PS.nr.9/2024 i datës 27.02.2025, VËRTETOHET”, thuhet në vendimin e Apelit të përpiluar më 18 mars 2026, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjykata Themelore në Prishtinë, më datë 30 janar 2025 liroi nga akuza të akuzuarit Astrit Goqi dhe Luan Krasniqi, me arsyetimin se nuk ishte vërtetuar se kanë kryer veprën penale për të cilën ngarkoheshin.
Kundër këtij aktgjykimi, kishte parashtruar ankesë Prokuroria Speciale për shkak të vërtetimit të gabuar ose jo të plotë të gjendjes faktike, duke propozuar që Gjykata e Apelit të ndryshojë aktgjykimin dhe të akuzuarit t’i shpallë fajtorë, ose ta prishë aktgjykimin dhe çështja të kthehet në rivendosje.
Prokuroria e Apelit përmes parashtresës kishte propozuar që ankesa e Prokurorisë Speciale të aprovohet, ashtu që aktgjykimi të ndryshohet dhe të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të njëjtëve t’iu shqiptohen dënime konform dispozitave ligjore.
Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Luan Krasniqi, avokati Fisnik Bajoku, kishte parashtruar përgjigje në ankesë me të cilën e kundërshtoi ankesën e Prokurorisë dhe theksoi se Gjykata ka vlerësuar të gjitha provat veç e veç dhe në tërësi, dhe se nuk është provuar se i pandehuri ka kryer veprat penale për të cilat akuzohet.
Apeli gjeti se aktgjykimi i ankimuar nuk është përfshirë në shkelje esenciale të paraparë sipas dispozitës së Kodit të Procedurës Penale.
Në vendimin e Apelit thuhet se Gjykata Themelore ka konstatuar me qartësi dhe arsyeshmëri faktet e vërtetuara dhe ato të paprovuara nga provat e administruara në shqyrtimin gjyqësor, dhe në mënyrë të drejtë, objektive dhe të qartë, ka analizuar dhe vlerësuar çdo provë një nga një dhe të ndërlidhur me njëra tjetrën, duke ardhur në përfundim se nuk është provuar se të pandehurit kanë kryer veprën penale për të cilën akuzoheshin.
Sipas Apelit, pretendimi i Prokurorisë se gjendja faktike është vërtetuar gabimisht lidhur me deklaratën e dëshmitarit bashkëpunues S.Ll., nuk qëndron, sepse shkalla e parë ka vepruar drejt dhe në mënyrë të arsyetuar, ashtu që kjo deklaratë e vetme në mungesë të provave plotësuese nuk mund të shërbejë si bazë për shpalljen fajtorë të të akuzuarve.
Në vendimin e Apelit thuhet se Themelorja ka vepruar drejt edhe lidhur me transkriptet e përgjimeve telefonike, në të cilat nuk rezulton asnjë fakt inkriminues në raport me këta të pandehur dhe, rrjedhimisht, nuk mund të vërtetohet fajësia e tyre mbi bazën e kësaj prove materiale.
Shkalla e dytë thekson se Themelorja ka analizuar elementet përbërëse të veprës penale “Pjesëmarrja apo organizimi i grupit kriminal të organizuar” dhe në mënyrë të drejt ka ardhë në përfundim se nga provat e administruara nuk është vërtetuar ekzistenca e një strukture të organizuar, dhe mungojnë prova për komunikim të vazhdueshëm, koordinim operacional apo ndarje funksionale të roleve ndërmjet të pandehurve.
“Andaj, edhe ky kolegj penal gjen si të drejtë përfundimin e gjykatës së shkallës së parë se mundësia hipotetike që të pandehurit të kenë qenë të kujdesshëm në komunikim nuk mund të zëvendësojë mungesën e provave konkrete, prandaj në mungesë të ndonjë prove që do të argumentonte komunikim, koordinim apo përfshirje të drejtpërdrejtë të të pandehurve Astrit Goqi dhe Luan Krasniqi në veprimtarinë e pretenduar kriminale, nuk përmbush standardin e provueshmërisë përtej dyshimit të bazuar mirë”, thuhet në vendim.
Sipas vlerësimit të kolegjit të Apelit, gjykata e shkallës së parë ka vërtetuar drejt dhe në mënyrë të plotë gjendjen faktike, duke i vërtetuar faktet në mënyrë të gjithanshme dhe të paanshme.
Apeli gjen se asnjë nga provat materiale të administruara në shqyrtimin gjyqësor nuk ka vërtetuar se të pandehurit kanë transportuar substanca narkotike, kanë marrë pjesë në shitblerje, kanë ndërmjetësuar, dorëzuar apo shpërndarë narkotikë, apo kanë pasur rol konkret në ndonjë zinxhir të organizuar të shpërndarjes.
Në vendim thuhet se Themelorja, me të arritur në përfundimin e arsyeshëm se nga provat nuk janë vërtetuar elementet e veprës penale, ka vepruar drejt kur të akuzuarit i ka liruar nga akuza.