Bruno Fernandesi ka zbuluar se ka refuzuar disa mundësi për t’u larguar nga Manchester Unitedi gjatë tre viteve të fundit, për të ndjekur “punën e papërfunduar” në “Old Trafford”.
Kapiteni portugez pranoi se, pavarësisht interesimit nga Arabia Saudite dhe vende të tjera, ambicia e tij kryesore mbetet rikthimi i klubit në lavdinë e dikurshme duke fituar trofetë më të mëdhenj.
Fernandesi ka rikonfirmuar besnikërinë ndaj klubit pas spekulimeve të shumta për një transferim në Ligën Profesionale Saudite verën e kaluar.
Pavarësisht një sezoni shumë të dobët historik dhe mungesës së futbollit evropian, 31-vjeçari mbetet një nga shtyllat kryesore të projektit afatgjatë të klubit.
Ai ka kaluar mbi gjashtë vite në Manchester dhe vazhdon të jetë forca kryesore kreative e ekipit, që aktualisht po lufton për të rikthyer statusin mes elitës.
Duke folur për Gary Neville në “Sky Sports”, Fernandesi shpjegoi se kënaqësia emocionale nga suksesi në “Old Trafford” tejkalon çdo mundësi tjetër diku tjetër.
“Nuk është çështje besnikërie. Mund të isha larguar para dy vitesh, mund të isha larguar para tre vitesh, mund të isha larguar sezonin e kaluar, por më pëlqen shumë të jem këtu. Mendoj se të jesh i suksesshëm në këtë klub është diçka që nuk mund ta arrij në asnjë klub tjetër. Gëzimi dhe gjithçka që do të ndjej ditën kur të arrij atë që dua këtu, nuk besoj se do ta gjej diku tjetër në botë”, tha ai fillimisht.
“E di sa shumë e duan tifozët këtë, e di sa pasionantë janë. E di sa shumë po presin që klubi të rikthehet sërish. Jam në të njëjtën anije me ta. Dua që kjo anije, në vend që të qëndrojë në vend, të ecë përpara dhe të shkojë sa më larg që të jetë e mundur. Po, fitova Carabao Cup dhe FA Cup, por ajo që ky klub, këta tifozë dhe unë vetë duam, ende nuk e kemi arritur. Derisa kontrata ime të përfundojë, do të përpiqem”, shtoi ai.
Mesfushori portugez shpjegoi më tej “punën e papërfunduar” që e shtyu të qëndrojë, edhe pasi klubi përfundoi në pozitën më të ulët ndonjëherë në Premierligë.
Duke folur për sfidën për të ngushtuar diferencën me ekipet dominante në Angli, Fernandesi tha: “Klubi ishte në një moment të vështirë sepse sapo kishim humbur një finale evropiane dhe përfunduam në vendin më të ulët ndonjëherë në Premierligë”.
“Para gjashtë vitesh, klubi më besoi të vij këtu dhe mendoi se mund ta ndihmoja. Në atë kohë, vendimi im u bazua në faktin që nuk i kisha përmbushur ëndrrat e mia këtu. Nuk kam arritur gjithçka që kam dashur. Nuk e kam fshehur kurrë që dua të fitoj Premierligën dhe Ligën e Kampionëve me këtë klub”, u shpreh portugezi.
“Mund ta arrij, mund edhe jo. Por derisa të kem mundësinë ose derisa të jem këtu për ta bërë këtë, do të përpiqem. A do të jetë e vështirë? Po. Ka klube të mëdha në ligë që e kanë fituar titullin për shumë vite dhe kanë qenë vazhdimisht në krye, ndërsa ne jo”, e mbylli Fernandesi./GazetaExpress/