Real Madridi po kërkon të rikthehet në një ekip fitues dhe Jürgen Kloppi u shfaq në letër si një nga kandidatët kryesorë.
Megjithatë, kjo shihet si një opsion pothuajse i pamundur, duke gjykuar nga qëndrimi i vetë trajnerit gjerman pas situatës në “Bernabéu” pas shkarkimit të Xabi Alonso në janar.
“Unë mendoj se thashethemet kanë qarkulluar prej kohësh. Dhe e di saktësisht se për çfarë po e bëni pyetjen, por nuk ka lidhje me mua. E vërteta është se telefoni ka rënë, por jo nga Madridi,” tha ai në atë kohë në “Servus TV”.
“Është një shenjë që gjërat nuk po funksionojnë perfekt atje,” shtoi ai.
“Kjo tregon disa gjëra: nga njëra anë që nuk ka më kohë, dhe nga ana tjetër që kërkesat te Real Madrid janë, logjikisht, jashtëzakonisht të mëdha”, u shpreh ai.
“Mendoj se kur vjen pas një legjende dhe një trajneri jashtëzakonisht të suksesshëm, që kishte një mënyrë shumë specifike të menaxhimit të skuadrës — Carlo Ancelotti — dhe përpiqesh të vendosësh rregulla të reja, këtë herë duket se ka qenë shumë e vështirë,” tha ai.
Disa raportime sugjeruan se sjellja e Toni Kroos në stafin teknik mund t’i lehtësonte gjërat, por burime të tjera tregojnë se nuk do të ketë një afrim të tillë.
Në këtë situatë, lista e kandidatëve për stolin e Real Madridit po ngushtohet edhe më shumë.
Në javët e fundit janë përmendur disa emra, përfshirë José Mourinho si një nga opsionet më të njohura.
Alternativa të tjera si Didier Deschamps, Mauricio Pochettino dhe Lionel Scaloni janë përmendur gjithashtu.
Megjithatë, tre të fundit paraqesin një pengesë të madhe: ata do të jenë të angazhuar në Botëror me kombëtaret e tyre, gjë që do të vononte ardhjen e tyre dhe do të komplikonte planifikimin sportiv të klubit.
Real Madridi po përgatitet për një verë të trazuar. Zgjedhja e trajnerit të ri do të përcaktojë drejtimin e projektit dhe peshën që do të ketë ai rol brenda strukturës së klubit.
Gjatë 12 muajve të fundit, figura si Carlo Ancelotti, Xabi Alonso dhe Álvaro Arbeloa kanë kaluar në mjedisin teknik të klubit pa arritur rezultate të qëndrueshme.
Kësaj i shtohen edhe problemet brenda dhomës së zhveshjes, duke bërë që sezoni i ardhshëm të jetë një test i vërtetë si për ekipin ashtu edhe për tifozët kërkues të Real Madridit./GazetaExpress/