Në Gjykatën Themelore në Prishtinë në gjykimin ndaj ushtrueses së detyrës së ministres së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli-Dalipi, ish-deputetit të Vetëvendosjes, Salih Zyba dhe ish-deputetes së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Drita Millaku, në rastin ku po akuzohen për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në mars të 2018-ës, në seancën e së enjtes u vendos që të bëhet precizimi i aktakuzës për veprimet që pretendohet se janë kryer nga secili i akuzuar.
Ndërkaq, lidhur me seancën e radhës, Zyba kërkoi që të caktohet pas 45 ditësh, për shkak se do të fillojë procesi zgjedhor, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në këtë seancë, u dha fjala hyrëse nga palët në procedurë dhe janë administruar provat materiale.
Ish-deputeti Zyba tha se e konteston procedurën e deritanishme në këtë process, duke theksuar se konsideron që vepra që iu vihet në barrë është e pabazuar.
“Konsideroj se kjo vepër që përpiqet të adresohet tek ne me përpjekjen për të vënë masë, është e pabazuar. Kontestoj procedurën e deritashme, në veçanti mungesën e ekspertizës për provat në thonjëza të ngritura nga elementi që cilësohet armë deri te mënyra e përdorimit të personave, ndaj të cilëve dyshohet se është përdorë, aktivitet në vete dhe qëllim përfundimtar, dhe besoj se gjatë spjegimit do t’i ilustrojmë këto që po deklaroj”, tha Zyba.
Mbrojtësi i Zybës sipas detyrës zyrtare, avokati Hasan Jashari propozoi që në seancat në vijim të nxjerret ekspertizë nga eksperti i lëmisë përkatëse për të vërtetuar faktin nëse tymi që është përdorë në seancë në Kuvendin e Kosovës më 21 mars 2018, hyn në grupin e armëve.
“Pasi që në shkresat e lëndës kemi vetëm një raport që vetëm bëhet interpretimi i dispozitës ligjore”, tha Jashari.
Për këtë, prokurori Valdrin Krasniqi deklaroi se për raportin e ekspertit të hartuar nga grupi i ekspertëve, Gjykata ka vendosur me aktvendimin e 6 qershorit 2024, me të cilin ka refuzuar kërkesën e avokatëve- që si pjesë e këtyre kërkesave ka qenë që të refuzohet administrimi i ekspertimit si provë.
Kurse, mbrojtësi i Pacolli-Dalipit, avokati Lavdrim Salihu tha se kjo aktakuzë është e mangët pasi nuk kemi konkretizim të veprimeve të secilit të akuzuar. Tha se e mbrojtura e tij akuzohet në cilësinë e deputetes se ka kryer veprime si në dispozitiv, por se sipas tij, cilësimi i detyrës që ka ushtruar ajo i jep konotacion politik.
Në anën tjetër, gjyqtari Sadikaj lidhur me kërkesën për ekspertizë dhe të precizohet aktakuza sa i përket veprimeve konkrete të të akuzuarve- sidomos koha e kryerjes së veprës së mundshme penale, kërkoi mendimin e prokurorit.
Lidhur me këtë, prokurori Krasniqi ndër të tjera deklaroi se e rezervon të drejtën që gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor të bëhet precizimi i aktakuzës.
Seanca vazhdoi me administrimin e provave materiale, ku prokurori Krasniqi listoi provat në këtë rast, ndër to: raportin e ekspertit, vendimin e kryesisë së Kuvendit të Kosovës, raportin informues, raportin e vendit të ngjarjes së bashku me listën e dëshmive, si dhe foto-albumin me fotografi nga vendi i ngjarjes dhe CD-të me video-incizime.
Më pas, avokati Salihu deklaroi se raporti i ekspertit duhet të shpallet si provë e papranueshme dhe e paartikulueshme, për faktin se nuk dihet përpiluesi i tij. Andaj, edhe deklaroi se i kundërshton këto prova.
Për raportin e kundërshtuar nga avokati Salihu, prokurori Krasniqi deklaroi se i përmban të gjitha elementet të cilat duhet t’i përmbajë një raport, duke konsideruar se ky raport është mjaftueshëm i qartë dhe se për vlefshmerinë e tij si provë materiale gjykata ka vendosur në qershor 2024.
Provat materiale i kundërshtuan edhe mbrojtësi i të akuzuarit Zyba, avokati Jashari dhe mbrojtësi i të akuzuarës Millaku, avokati Veton Robaj. Po ashtu, mbrojtja propozoi shikimin e video-incizimeve.
Gjyqtari Sadikaj obligoi Prokurorinë që në afat prej 15 ditësh të precizojë aktakuzën, ndërsa seanca e radhës do të caktohet pasi që palët të pranojnë këtë precizim. Po ashtu, pas kësaj, në seancat e radhës pritet të bëhet shikimi i video-incizimeve.
Me këtë rast, i akuzuari Zyba kërkoi nga Gjykata që seanca e ardhshme të caktohet jo më afër se 45 ditë, me arsyetimin se do të nisë procesi zgjedhor.
Paraprakisht, i akuzuari Zyba theksoi se ka kërkuar përjashtimin e prokurorit Valdrin Krasniqi nga kjo lëndë, ndërsa gjyqtari Sabit Sadikaj iu përgjigj se rasti i ishte dërguar kryeprokurorit Zejnullah Gashi, i cili e ka refuzuar këtë kërkesë, andaj seanca vazhdon para të njëjtit prokuror.
Kujtojmë se në seancën e 16 janarit 2026, i akuzuari Zyba ngriti dyshime për konflikt interesi të prokurorit, duke theksuar se ai mund të ketë lidhje familjare me ish-sekretarin e Kuvendit, dhe kërkoi verifikimin e kësaj lidhjeje, si dhe përjashtimin e prokurorit për shkak të ndikimit të mundshëm dhe joprofesionalizmit.
Bashkë me Zybën, Pacolli-Dalipin dhe Millakun akuzohet edhe ministri në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, por në seancën e 16 janarit 2026, Gjykata vendosi të veçojë procedurën penale ndaj tij pasi mungoi në seancë, duke njoftuar me e-mail se gjendet jashtë vendit.
Gjykata Themelore në Prishtinë më 6 qershor 2024 ka konfirmuar aktakuzën Sveçlës, Millakut, Zybës dhe Pacolli-Dalipit, për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend në mars të 2018-ës. Kurse, vendimin e Themelores e vërtetoi më pas Gjykata e Apelit.
Ndryshe në seancën fillestare të mbajtur më 26 mars 2024, katër të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend.
Ministri Sveçla dhe tre deputetët Millaku, Zyba dhe Pacolli-Dalipi akuzoheshin edhe për veprën penale “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, por për këtë vepër në seancën fillestare gjykatësi i rastit Sabit Sadikaj, kishte njoftuar se ka arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale.
Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, e cila rezulton të jetë ngritur më 29 korrik 2019, Sveçla, Millaku, Zyba dhe Pacolli-Dalipi po akuzohen se më 21 mars 2018, rreth orës 12:10 e deri në orën 15:40, kanë ndezur disa bombola të gazit lotsjellës, të cilat i kishin hedhur brenda sallës së Kuvendit të Kosovës, ku po mbahej seanca plenare.
Aty thuhet se si rrjedhojë e kësaj, të gjithë deputetët ishin detyruar ta lironin sallën e Kuvendit, me ç’rast kanë pamundësuar vazhdimin e seancës.
Me këtë, secili veç e veç akuzohen se kanë kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 375, paragrafi 1 të Kodit Penal, kryerësi i së cilës dënohet me burgim prej një deri në tetë vjet.
Kurse, sipas dispozitivit të dytë, thuhet se secili veç e veç kanë kryer veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare” nga neni 409, paragrafi 1 të Kodit Penal, pasi kanë penguar deputetët e Kuvendit të Kosovës ne kryerjen e detyrave zyrtare. Kryerësi i kësaj vepre dënohet me burgim prej tre muaj deri në tre vjet. /BetimipërDrejtësi