Çfarë do të shtrenjtohet në Zvicër pas krizës së naftës?
Lufta në Iran ka shkaktuar rritje të ndjeshme të çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare, duke ndikuar drejtpërdrejt edhe në ekonominë zvicerane. Situata është përkeqësuar edhe më tej për shkak të bllokimit të mundshëm të Ngushticës së Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme për transportin e naftës në botë, përcjell albinfo.ch.
Si pasojë e kësaj krize, ekspertët paralajmërojnë për rritje të çmimeve dhe mungesa në disa sektorë kyç, përfshirë barnat, ushqimet dhe paketimet plastike. Në Zvicër, tashmë po vërehen vështirësi në furnizimin me disa produkte farmaceutike, ndërsa tarifat dhe kostot në këtë sektor po rriten.
Gjithashtu, çmimet e plehrave bujqësore janë rritur me rreth 30 për qind, duke ndikuar në sektorin e bujqësisë dhe prodhimit të ushqimit. Mungesa e plastikës dhe rritja e kostove të paketimit po shtojnë presionin mbi çmimet e produkteve ushqimore.
Ekspertët ekonomikë paralajmërojnë se nëse situata vazhdon të përshkallëzohet, bota mund të përballet me një krizë globale ushqimore, me pasoja të mëdha edhe për tregjet evropiane, përfshirë Zvicrën.