Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, ka thënë se kanë njoftuar të gjithë faktorët ndërkombëtarë për bllokimin e transfereve dhe donacioneve që vijnë nga Qeveria e Kosovës për shqiptarët e Luginës së Preshevës në Serbi.
Rexhepi ka thënë se ka dorëzuar edhe fakte që kjo po ndodhë përmes bankës nga Qeveria e Serbisë dhe ministrit Demo Berisha.
“Ky nuk është vetëm bllokim fondesh. Ky është bllokim i zhvillimit, i arsimit dhe i mbështetjes për shqiptarët në Luginën e Preshevës dhe Sanxhakut. Sipas të gjitha fakteve dhe dokumentimit që kemi dorëzuar, kjo po ndodh përmes bankës nga Qeveria e Serbisë dhe ministri Demo Berisha ështe shkelje e çdo norme. Ky është diskriminim i hapur. Dhe si i tillë duhet të trajtohet nga të gjithë, pa përjashtim”, ka thënë në reagimin e tij në Facebook, Rexhepi.
Rexhepi në reagimin e tij ka shkruar po ashtu se bllokimi i këtyre fondeve prek drejtpërdrejt “3650 nxënës, 97 fëmijë pa prind dhe 957 bujq, mbi 756 studentë, 139 organizata joqeveritare dhe mijëra qytetarë që varen nga këto programe”.