Steven Gerrard mund të jetë pranë një rikthimi befasues në futbollin anglez, pasi është vendosur në krye të një liste të ngushtë për trajner.
Gerrard është pa punë që nga largimi nga klubi saudit Al-Ettifaq në janar të vitit 2025 dhe që atëherë ka qenë shpesh analist për “TNT Sports”.
Legjenda e Liverpoolit u lidh në mënyrë sensacionale me një rol të përkohshëm në “Anfield” gjatë vështirësive të kampionëve të Premierligës këtë sezon, por Arne Slot ka stabilizuar situatën dhe zërat janë shuar.
Gerrard ka deklaruar se do të ishte i gatshëm të rikthehej te Liverpooli në çdo rol për të ndihmuar ish-klubin e tij.
Ish-kapiteni i Liverpoolit nuk ka drejtuar në Angli që nga shkarkimi nga Aston Villa në tetor 2022, por mund të rikthehet papritur me skuadrën e Championshipit, Burnley.
Burnley ka rënë nga Premierliga nën drejtimin e Scott Parker dhe e ardhmja e ish-mesfushorit të Tottenhamit mbetet e pasigurt.
Diskutimet për të ardhmen e Parker në “Turf Moor” tashmë kanë nisur dhe Gerrard është vendosur në krye të listës së Burnleyt nëse klubi vendos për ndryshim, sipas Alan Nixon.
Sipas Nixon, Gerrard do të “hidhej menjëherë” në një mundësi për t’u rikthyer në jug, por mund të përballet me konkurrencë për këtë rol.
Craig Bellamy besohet gjithashtu se është në garë, nëse vendos të largohet nga posti i trajnerit të Uellsit, ndërsa është lidhur edhe me një kalim te Celtic pas largimit të Martin O’Neill në fund të sezonit.
Gerrard fitoi titullin e Premiershipit skocez gjatë kohës së tij te Rangers, por u largua për të marrë drejtimin e Aston Villas.
Ish-reprezentuesi i Anglisë ka deklaruar për “The Overlap” se e pendon largimin nga klubi skocez.
Gerrard tha: “Niveli ishte një hap i madh përpara. Ndoshta nuk e kuptova në atë moment kur mora atë vendim. Me mendjen e sotme, do të kisha qëndruar më gjatë te Rangers, për të fituar më shumë përvojë. Tani pendohem për atë vendim, edhe pse në atë kohë jo. Ishte e vështirë. Edhe bisedimet me Rangers pas titullit, për përforcimet dhe financat, nuk më dukeshin sikur klubi ishte gati të vazhdonte në të njëjtin nivel. Premtimet nuk ishin aq të forta sa mendoja. Pastaj erdhi oferta nga Premierliga dhe ishte e vështirë të thuhej jo. Nuk kam asgjë të keqe për të thënë për Aston Villa. Është një klub shumë i mirë, me njerëz të mirë dhe kushte fantastike. Mundësia m’u dha, por nuk funksionoi dhe përgjegjësia është e imja”./GazetaExpress/