Kreshnik Uka është zgjedhur “Ylli i Javës” në Superligë.
Futbollisti i Drenicës shkëlqeu me dy gola në ndeshjen kundër Prishtinës së Re, të cilën Kuqezinjtë fituan me rezultat 3:2.
Vlerësimi është bërë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit.

Pasi e mori këtë çmim, Uka u shpreh i lumtur që u vlerësua si lojtari më i mirë i xhiros së 30-të.
“E kemi ditur që do të jetë një ndeshje e vështirë, pasi duke parë vendin në tabelë të Prishtinës së Re, e dinim që i duhen pikët e plota. Fillimi i ndeshjes nuk ishte siç e kemi pritur, sepse në pjesën e parë ishim në disavantazh 1-0. Por, në pushimin e ndeshjes, së bashku me trajnerin, lojtarët dhe kapitenin Genc Hamiti, u dakorduam që të dalim fuqishëm në pjesën e dytë dhe ta rikthejmë ndeshjen – dhe ashtu doli. Shpresoj të vazhdojmë kështu, pse jo edhe kundër Ballkanit.”

“Si klub, nuk e kemi pasur synim daljen në Evropë përmes kampionatit, por përmes kupës. Por, tash e tutje, çfarëdo që të vijë, pse jo, do të vazhdojmë. Kjo është meritë e bashkëlojtarëve, duke filluar nga kapiteni Genc Hamiti e deri te lojtari më i ri, të cilët nuk po kursehen duke dhënë maksimumin. Gjithashtu edhe stafi dhe trajnerit janë duke bërë një punë të mrekullueshme. Kemi arritur të krijojmë një mentalitet të ri në ekip dhe shpresojmë të vazhdojmë kështu edhe në ndeshjet e ardhshme,” tha ai për faqen zyrtare të FFK-së. /Gazeta Express