Michael Olise po e jeton sezonin më të rëndësishëm të karrierës së tij dhe tashmë është përballë një prove vendimtare që mund ta çojë drejt majave të futbollit botëror.
Ylli i Bayern Munichut është kthyer në një nga protagonistët absolutë të sezonit, duke shkëlqyer si në Bundesliga ashtu edhe në Champions League.
Performancat e tij kanë qenë vendimtare për sukseset e skuadrës bavareze, duke e vendosur në qendër të vëmendjes së futbollit evropian.
Në Champions League, Olise e ka treguar gjithë klasin e tij, duke qenë shpesh vendimtar në momentet kyçe, shkruan “Gazeta Express”.
Madje, ai ishte një nga figurat kryesore në eliminimin e Real Madridit duke e shënuar golin që e vulosi kualifikimin e Bayernit në fazën tjetër të kompeticionit.
Statistikat e tij janë mbresëlënëse: me gola dhe asistime të shumta gjatë sezonit, ai është shndërruar në një nga lojtarët më produktivë në Evropë, duke dominuar sidomos në aspektin kreativ dhe në krijimin e rasteve për shokët e skuadrës.
Por testi i vërtetë për të sapo ka filluar. Fundi i sezonit, Championsi dhe mbi të gjitha turnetë ndërkombëtare si Botërori, do të jenë momentet që do ta përcaktojnë nëse Olise është gati për hapin e madh drejt elitës absolute.
Diskutimi tashmë ka kaluar në një nivel tjetër: nga një talent premtues, ai po konsiderohet si një kandidat potencial për “Topin e Artë” në të ardhmen.
Edhe brenda skuadrës së Bayernit besimi ndaj tij është maksimal, me bashkëlojtarët që e shohin si një lojtar të destinuar për të bërë histori në futboll.
Në moshën vetëm 24-vjeçare, Olise ka gjithçka për t’i arritur majat: teknikë, vizion loje dhe aftësi për ta bërë diferencën në ndeshjet më të mëdha.
Tani mbetet për t’u parë nëse ai do të arrijë ta konfirmojë këtë nivel edhe në momentet më vendimtare – sepse vetëm aty lindin legjendat. /Gazeta Express