Ambasadori britanik: Grupi më i madh i të dënuarëve në Mbretërinë e Bashkuar janë shqiptarë - Gazeta Express
string(90) "ambasadori-britanik-grupi-me-i-madh-i-te-denuareve-ne-mbreterine-e-bashkuar-jane-shqiptare"

Lajme

Gazeta Express

26/04/2026 21:16

Ambasadori britanik: Grupi më i madh i të dënuarëve në Mbretërinë e Bashkuar janë shqiptarë

Lajme

Gazeta Express

26/04/2026 21:16

Pak ditë më parë, Ambasadori i Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar, Uran Ferizi, përmes një letre drejtuar gazetës “The Guardian”, kritikoi qëndrimet e zyrtarëve britanikë ndaj emigrantëve shqiptarë. Ai theksoi se përmendja e shqiptarëve si komunitet me probleme me ligjin krijon stereotipe dhe i vendos ata në shënjestër.

Në një reagim për këtë çështje, ambasadori britanik në Tiranë, Nicholas Abbott deklaroi në një intervistë për Euronews Albania se duhet treguar kujdes me statistikat dhe mënyrën si interpretohen ato.

Diplomati britanik theksoi se shumica e shqiptarëve në Mbretërinë e Bashkuar jetojnë normalisht, punojnë dhe kontribuojnë në ekonomi. Megjithatë, ai pranoi edhe një realitet tjetër: “Shtetasit shqiptarë janë grupi më i madh i të huajve të dënuar në burgjet e Mbretërisë së Bashkuar. Ky është një fakt që nuk mund të shpërfillet,” tha ai. /Euronews albania

Pjesë nga intervista:

Nicholas Abbott: Do të isha shumë dakord me ambasadorin Farizi, se duhet të jemi shumë të kujdesshëm me statistikat, me shifrat që përdorin njerëzit dhe me realitetin që qëndron pas tyre. Mendoj se ai ka plotësisht të drejtë ta ngrejë këtë çështje. Prandaj ai dhe unë kemi një bisedë të gjatë mbi pyetjen se kë do të konsideronit shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar. Ai do të përfshinte edhe ata që kanë emigruar nga Italia apo Greqia, por që kanë identitet etnik shqiptar. Si qeveri, ne nuk veprojmë kështu. Ne i konsiderojmë shtetas shqiptarë ata që kanë pasaportë shqiptare dhe hyjnë në Mbretërinë e Bashkuar me të. Pra, nuk është kaq e thjeshtë. Shumica e shqiptarëve që jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar bëjnë jetë normale, jetë krejt normale, si njerëzit këtu. Ata kanë punë. Kontribuojnë në ekonomi. Kanë fëmijë që shkojnë në shkollë. Mund të kenë familjarë që jetojnë në Britani dhe marrin trajtim mjekësor. Por ka edhe një realitet që qeveria nuk mund ta shpërfillë. Shtetasit shqiptarë janë grupi më i madh i të huajve të dënuar në burgjet e Mbretërisë së Bashkuar. Ky është realitet. Nuk synon aspak të demonizojë askënd. Dhe mendoj se mesazhi im, qoftë kur flas me ambasadorin Farizi, qoftë kur flas me pjesëtarë të diasporës në Mbretërinë e Bashkuar, apo me ata që vijnë këtu, është i njëjtë. Kohët e fundit pata një vizitë nga një grup biznesmenësh të suksesshëm që jetojnë në Londër. Nuk po flas për njerëz që drejtojnë kompani të mëdha. Janë kompani familjare. Por ata kanë qenë atje për gati 30 vjet. Kanë pasur sukses. Janë vendosur atje me familjet e tyre. Ata më pyesnin: çfarë mund të bëjmë tani për vendin tonë? Si mund të na ndihmoni këtu në Shqipëri? Dhe unë qesh pak, sepse më duket sikur tani kam një lloj elektorati shqiptar që përfaqësoj.

Pra ambasador ju nuk bini dakord me kryeministrin Edi Rama, kur thote qe krimi nuk ka kombesi?

Nicholas Abbott: Po. Mendoj se është më e ndërlikuar se kaq. Duhet parë mënyra se si krimi ekziston brenda shoqërive të ndryshme, dhe si funksionon ai. Ajo që ka ndodhur është se grupet kriminale shqiptare kanë arritur të krijojnë terren dhe të marrin kontrollin e disa fushave të krimit në Mbretërinë e Bashkuar. Me sa kuptoj, në Gjermani, Francë apo Holandë, janë grupe të tjera. Kaq është. Pra, askush nuk po thotë se pas kriminalitetit në Evropën Perëndimore qëndron një mendje shqiptare që drejton gjithçka. Por ekziston një realitet: grupet kriminale shqiptare janë të përfshira fort në trafikun e kokainës, në kanabis, në Mbretërinë e Bashkuar, por edhe në Evropën Perëndimore dhe më gjerë. Këto janë çështje që duhen përballur drejtpërdrejt. Sepse, për ta bërë këtë, duhet bashkëpunim për t’i ndalur. Dhe mendoj se kjo nuk është diçka që zgjidhet njëherë e përgjithmonë. Nuk do të vijë një ditë kur kjo të marrë fund. Ajo që përpiqesh të bësh është të menaxhosh rreziqet për shoqërinë tënde, në mënyrë që ato të mos kenë ndikim shkatërrues mbi vetë shoqërinë. Kjo vlen edhe këtu, në Shqipëri. Askush nuk do të donte ta shihte këtë këtu.

Advertisement
Advertisement
Advertisement