Në prag të Kupës së Botës 2026, janë zbuluar pesë ndryshime të mëdha në rregullat e lojës, teksa turneu që do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë pritet të nisë në më pak se 80 ditë. Mbi pesë milionë tifozë pritet të ndjekin nga afër 104 ndeshje, në një edicion që synon të jetë ndër më spektakolarët në histori.
Pas një sezoni të mbushur me kritika për humbjen e ritmit të lojës dhe rikthimin e praktikave si vonesat e qëllimshme, FIFA ka vendosur të ndërhyjë me rregulla të reja për ta bërë futbollin më dinamik dhe më tërheqës.
Një nga ndryshimet më të diskutuara është ai për zëvendësimet. Lojtarët që dalin nga fusha do të kenë vetëm 10 sekonda kohë për t’u larguar. Nëse e tejkalojnë këtë limit, zëvendësuesi do të duhet të presë një minutë për të hyrë, duke lënë ekipin përkohësisht me një lojtar më pak.
Një tjetër rregull i ri lidhet me rivëniet anësore. Futbollistët do të kenë vetëm pesë sekonda për të kryer rivënien, me qëllim eliminimin e vonesave të panevojshme. Në rast shkeljeje, topi do t’i jepet skuadrës kundërshtare.
Ndryshime ka edhe në trajtimin mjekësor. Lojtarët që marrin ndihmë në fushë do të detyrohen të dalin jashtë dhe të presin një minutë para rikthimit, përveç rasteve kur ndërhyrja vjen pas një faulli të ndëshkuar me karton.
Po ashtu, është forcuar rregulli që vetëm kapiteni i skuadrës mund t’i afrohet gjyqtarit për sqarime. Lojtarët e tjerë që e rrethojnë arbitrin rrezikojnë ndëshkim me karton të verdhë.
Ndryshimi më i debatueshëm lidhet me sistemin VAR. Tashmë, teknologjia do të ketë kompetenca më të zgjeruara, duke përfshirë rishikimin e kartonëve të dytë të verdhë që çojnë në të kuq, si dhe vendimeve të gabuara për goditje nga këndi. Megjithatë, kjo mund të sjellë edhe ndërprerje më të shpeshta të lojës.
Me këto risi, FIFA synon të luftojë vonesat dhe të rrisë cilësinë e lojës, ndonëse mbetet për t’u parë se si do të ndikojnë në praktikë gjatë turneut më të madh të futbollit botëror.