Callum Wilson shënoi në minutën e 93-të për t’i dhënë fitoren 2-1 West Ham Unitedit ndaj Evertonit në “London Stadium”, një sukses i madh që i afron londinezët me mbijetesën në Premierligë dhe e çon në gjashtë ndeshje serinë pa humbje në shtëpi.
Në mes të një beteje të ashpër për mbijetesë, tri pikët ishin jetike për West Hamin, sidomos duke pasur parasysh se Tottenham Hotspuri përballej me një kundërshtar më të lehtë.
Vendasit e nisën fuqishëm, me Crysencio Summerville që shërbeu një krosim perfekt për Tomas Soucek, por goditja me kokë e këtij të fundit kaloi ngushtë mbi traversë.
Megjithatë, dominimi i “Çekanëve” nuk u shoqërua me raste konkrete, gjë që shqetësonte trajnerin Nuno Espirito Santo.
Pjesa e parë përfundoi pa shumë emocione, me Jarrod Bowen që humbi një rast të mirë, ndërsa West Hami nuk arriti asnjë goditje në portë.
Gjithçka ndryshoi në pjesën e dytë, kur Taty Castellanos rrezikoi portën e Jordan Pickfordit.
Pak më vonë, nga një goditje këndi, Souček u ngrit më lart se të gjithë dhe shënoi me kokë pas asistit të Bowen, duke kaluar vendasit në avantazh.
Evertoni reagoi vonë, me një seri rastesh ku Souček dhe Axel Disasi shpëtuan portën e West Hamit.
Thierno Barry ishte pranë barazimit, por tentativa e tij u largua mbi vijë nga Souček.
Kur dukej se ndeshja po mbyllej, Kiernan Dewsbury-Hall barazoi në minutën e 88-të pas një asistimi nga James Tarkowski, duke tronditur vendasit.
Megjithatë, drama nuk kishte mbaruar.
Në minutat shtesë, Wilson u shfaq si hero duke realizuar golin e fitores dhe duke shpërthyer festën në stadium.
Me këtë sukses, West Ham mban një epërsi prej dy pikësh ndaj Tottenham Hotspurit në garën për t’i shpëtuar rënies nga kategoria.
West Hami aktualisht i ka 36 pikë, derisa Tottenhami në vendin e 18-të i ka 34 pikë./GazetaExpress/