Real Madridi u ndal me një barazim dramatik 1-1 nga Real Betisi, duke e ulur diferencën me liderët Barcelona në vetëm 8 pikë në La Liga, por që mund të shkojë në 11 pikë nesër.
Ndeshja u zhbllokua nga Vinicius Junior, i cili shënoi pas vetëm 20 minutash, duke përfituar nga një top i kthyer pas goditjes së Federico Valverde.
Goli ishte i 13-ti i tij në kampionat këtë sezon dhe e vuri Real Madridin në kontroll të lojës.
Real Madridi mendoi se kishte dyfishuar avantazhin kur Kylian Mbappe shënoi me volej pas një krosimi të Trent Alexander-Arnoldit, por goli u anulua për pozicion jashtë loje pas ndërhyrjes së VAR-it.
Në pjesën e dytë, Real Betisi filloi të rrezikonte më shumë, me disa pritje vendimtare nga portieri Andriy Lunini, i cili po e zëvendëson të dëmtuarin Thibaut Courtois.
Nga ana tjetër, portieri i Betisit, Alvaro Valles, ndali disa raste të rrezikshme nga Kylian Mbappe dhe Valverde.
Kur dukej se Real Madridi do të merrte tre pikë të plota, mbrojtësi Hector Bellerin shënoi në minutën e 94-t, duke përfituar nga një top i lirë në zonë dhe duke vulosur barazimin 1-1.
Ky gol i dha Betisit një pikë të rëndësishme dhe zgjati serinë e tyre pa humbje në shtëpi ndaj Real Madridit.
Me këtë rezultat, Real Madridi mbetet në ndjekje të titullit – i cili tashmë pritet të shkojë te Barça, ndërsa Real Betisi konsolidon pozitën në vendin e pestë dhe vazhdon garën për kualifikim në Europë.
Real Madridi ka 74 pikë në vendin e dytë, teksa Barça është e para me 82 sosh.
Ndërkohë, Betisi është i pesti me 50 pikë./GazetaExpress/