Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, doli në konferencë për shtyp për të analizuar situatën aktuale të ekipit dhe ndeshjen ndaj Getafes, ku në qendër të vëmendjes ishte Lamine Yamali.
Flick theksoi se Yamali duhet të mësojë nga kjo situatë, pasi është dëmtimi i tij i parë muskulor.
“Situata nuk është e lehtë as për ne dhe as për të. Ai duhet ta menaxhojë dhe të mësojë. Është dëmtimi i tij i parë muskulor, është shumë i fokusuar dhe i motivuar. Do të jetë gati për Botërorin 2026 dhe do të kthehet më i fortë”, tha Flick.
Për kundërshtarin, Flick paralajmëroi se Getafe është në formë shumë të mirë.
“Nëse shikon 10 ndeshjet e fundit, do të ishin të dytët në tabelë. Mbrohen shumë mirë dhe kanë filozofinë e tyre. E rëndësishme është të kemi ritmin e duhur dhe të mos bëjmë shumë gabime”, shtoi ai.
Ai shtoi se ekipi do të analizojë gjithçka pas sezonit.
“Do të kemi kohë të mjaftueshme për të analizuar dhe për të parë si të përmirësohemi. Nuk na pëlqejnë dëmtimet, por tani fokusi është te ndeshja e radhës”, shtoi Flick.
Trajneri konfirmoi se disa lojtarë mund të rikthehen së shpejti.
“Kur të jenë gati dhe të stërviten me ekipin, do të jenë të disponueshëm. Aktualisht nuk janë në stërvitje grupore dhe nuk janë gati për nesër, por mendoj se javën tjetër mund të kemi lajme më të mira,” duke iu referuar Raphinhas dhe Marc Bernalit.
Flick foli edhe për mentalitetin e lojtarëve të rinj, duke përmendur Gavin.
“Nuk është çështje moshe, por personaliteti. Gavi është ndryshe pas dëmtimit, më i fokusuar dhe më i përmbajtur. Jam i impresionuar me nivelin e tij”, u shpreh ai.
Për dëmtimin e Yamal, ai shpjegoi.
“Ai ndjeu diçka pas një ndërhyrjeje, por nuk dukej serioze dhe vendosi të vazhdonte. Më pas u përkeqësua. Është pjesë e procesit të të mësuarit – të kuptosh sinjalet që të jep trupi”, tha trajneri gjerman.
Në fund, Flick theksoi rëndësinë e përqendrimit te skuadra dhe objektivat.
“Të gjithë duhet të japin 100% për ekipin. Na kanë mbetur edhe gjashtë ndeshje dhe synimi është gjithmonë të fitojmë. Nuk do të jetë e lehtë, por kemi cilësinë e duhur për të bërë një ndeshje shumë të mirë”, e mbylli ai./GazetaExpress/