Stereotipi se burrat me trup muskuloz janë “më shumë forcë sesa mendje” vihet në pikëpyetje nga një studim i ri, i cili sugjeron se ata mund të jenë edhe më inteligjentë.
Sipas kërkimit, inteligjenca tek meshkujt e rinj lidhet me karakteristika fizike si forca e kapjes së dorës dhe raporti i lartë mes shpatullave dhe ijeve – një formë trupi në “V” që shpesh lidhet me maskulinitetin dhe shëndetin fizik.
Studimi, i publikuar në Evolutionary Psychological Science, zbulon gjithashtu se këta burra priren të jenë më pak të interesuar për marrëdhënie të rastësishme dhe më të orientuar drejt lidhjeve afatgjata.


Autorja kryesore, Tara DeLecce nga Oakland University, thekson se rezultatet sugjerojnë një lidhje mes inteligjencës, shëndetit fizik dhe cilësisë gjenetike, ndërsa sjellja seksuale më e shkujdesur lidhet negativisht me inteligjencën.
Në studim morën pjesë 41 meshkuj të moshës 18–34 vjeç. Inteligjenca u mat përmes testeve, ndërsa të dhënat për sjelljen seksuale u mblodhën përmes pyetësorëve. Po ashtu, u analizuan forca fizike, indeksi i masës trupore dhe përmasat trupore.
Rezultatet treguan një lidhje pozitive mes inteligjencës, forcës së duarve dhe strukturës trupore, ndërsa një lidhje negative u vu re me sjelljet seksuale të shpeshta dhe të rastësishme.


Forma trupore në “V”, e karakterizuar nga shpatulla të gjera dhe bel i ngushtë, shpesh shihet si tregues i shëndetit dhe forcës fizike. Figura të njohura si Dwayne Johnson dhe Arnold Schwarzenegger janë shembuj tipikë të këtij tipi fizik.
Nga ana tjetër, forma më e rrumbullakët, me ije më të gjera, është më pak e lidhur me këto karakteristika.
Studiuesit theksojnë se burrat me inteligjencë më të lartë kanë më shumë gjasa të kenë sukses në marrëdhënie monogame dhe afatgjata, duke sugjeruar se kjo mund të jetë një strategji më moderne dhe komplekse në aspektin social.
Megjithatë, ata nënvizojnë se rezultatet duhet të interpretohen me kujdes, pasi studimi përfaqëson tendenca të përgjithshme dhe jo rregulla absolute për çdo individ. /GazetaExpress/