Situata te Chelsea është gjithnjë e më e tensionuar dhe këtë herë trajneri Liam Rosenior nuk është përmbajtur.
Pas rezultateve negative dhe një periudhe shumë të vështirë, trajneri ka shpërthyer kundër skuadrës së tij, mbi të gjitha pas humbjes së mbrëmshme 0:3 nga Brightoni, përcjell “Gazeta Express”.
“I kam mbrojtur gjithmonë, por tani mjaft. Djemtë duhet të shikohen në pasqyrë”, ka deklaruar ai, duke lënë të kuptohet qartë pakënaqësinë për paraqitjet e fundit të ekipit.
Fjalë të forta që e tregojnë një ndryshim të qartë në qasjen e trajnerit, i cili deri më tani kishte tentuar ta mbante një qëndrim mbrojtës ndaj lojtarëve të tij, pavarësisht rezultateve zhgënjyese.
Kriza e rezultateve është evidente: Chelsea po e kalon një moment shumë negativ, me disa humbje radhazi që e kanë komplikuar ndjeshëm situatën në renditje dhe e kanë rritur presionin mbi trajnerin dhe skuadrën.
Deklaratat e Rosenior duken si një përpjekje për ta nxitur një reagim të menjëhershëm nga lojtarët, të cilët tashmë janë vënë drejtpërdrejt në përgjegjësi.
Një mesazh i qartë dhe i fortë, që tregon se durimi ka marrë fund dhe se tani pritet një përgjigje konkrete në fushë. /Gazeta Express