Deputeti i PDK-së: Zgjedhjet e reja do t’i kushtojnë Kosovës miliona euro - Gazeta Express
string(71) "deputeti-i-pdk-se-zgjedhjet-e-reja-do-ti-kushtojne-kosoves-miliona-euro"

Lajme

Gazeta Express

22/04/2026 8:17

Deputeti i PDK-së: Zgjedhjet e reja do t’i kushtojnë Kosovës miliona euro

Lajme

Gazeta Express

22/04/2026 8:17

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Kujtim Gashi, ka folur për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të reja në vend, duke theksuar se ato do të kenë kosto të lartë financiare për buxhetin e shtetit.  

Ai për Ekonomia Online ka deklaruar se PDK-ja ka qenë kundër zgjedhjeve dhe ka tentuar të kontribuojë në zgjedhjen e presidentit, por sipas tij, kjo nuk është marrë seriozisht nga subjekti fitues i zgjedhjeve.  

 “E para, ajo që duhet me u theksu edhe me e konfirmu që Partia Demokratike e Kosovës, siç e dini, ka qenë kundër zgjedhjeve. Natyrisht që jemi mundu me dhënë kontributin tonë që vendit me i dhënë presidentin. Por, subjekti politik që ka dalë i pari, që është përgjegjësi kryesor për me i dhënë drejtim çështjes së zgjedhjes së presidentit, natyrisht që s’e ka marrë me seriozitet ashtu siç po shihet, edhe nga zhvillimet, edhe nga lëvizjet e vazhdueshme të takimeve. Dhe fatkeqësisht Kosova, siç po shihet, po shkon drejt zgjedhjeve të reja, të panevojshme, të cilat sigurisht që do t’i kushtojnë miliona euro buxhetit të Republikës së Kosovës pa asnjë arsye dhe pa asnjë nevojë”, tha ai.  

I pyetur nëse vendi është afër shpalljes së zgjedhjeve, Gashi vlerëson se veprimet e deritanishme tregojnë qartë që një gjë e tillë do të ndodhë.  

“Po në fakt, veprimet që janë bërë edhe në fazën e parë para aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, po edhe në pjesën tjetër, tregojnë që qëllimi i zotit Kurti, po edhe i Lëvizjes Vetëvendosje, është që vendin me e çu drejt zgjedhjeve. Dhe kjo është fatkeqësia e gjithë kësaj që po i ndodh sot Kosovës, pa asnjë interesim për me e zgjedh presidentin, dhe me i eliminu eventualisht zgjedhjet të cilat po na presin”, thotë deputeti.   Sipas tij, në këto rrethana partitë politike nuk kanë zgjidhje tjera përveç përgatitjes për zgjedhje.  

“Natyrisht që në këto rrethana, partitë politike nuk kanë zgjidhje dhe opsione tjera përveçse të përgatiten për zgjedhje. Por edhe një herë po them, zoti Kurti, subjekti i tij politik, ka shumë opsione dhe mundësi për me i dhënë vendit një president konsensual të ri, sepse e dini që shumica e partive politike kanë pasur vullnet dhe disponim për me e bë zgjedhjen”, u shpreh Gashi.  

Duke folur për qëndrimin e PDK-së në rast të ndryshimit të ofertës nga ana e kryeministrit Albin Kurti, Gashi tha se pozicioni i partisë mbetet i pandryshuar.  

 “Ne faktikisht, e dini qëndrimet tona prej fillimit deri tash. Kemi pasur mbledhjen e Këshillit Drejtues të partisë edhe mendojmë që në këtë fazë, për Partinë Demokratike të Kosovës kjo çështje është e përmbyllur, sepse nuk kemi parë seriozitet të zotit Kurti për me e zgjedh presidentin e Republikës”, tha tutje ai.  

Më 25 mars Gjykata Kushtetuese rrëzoi dekretin e Osmanit të nxjerrë më 6 mars, duke vendosur se në rast se brenda 34 ditësh, nga kjo datë kur ka hyrë në fuqi aktgjykimi, deputetët nuk zgjedhin presidentin, Kuvendi shpërndahet. Sipas vendimit, pas shpërndarjes ‘ex constitutione’ (shpërndahet në mënyrë automatike në bazë të Kushtetutës) së organit ligjvënës, Kosova duhet të mbajë zgjedhje të reja brenda 45 ditësh. Në aktgjykimin e saj, Kushtetuesja tha se Kuvendi i Kosovës shpërndahet në tri raste: nëse brenda 60 ditësh nga data e caktimit të mandatarit nga presidenti nuk formohet Qeveria, nëse për shpërndarjen e Kuvendit votojnë 2/3 e të gjithë deputetëve dhe nëse brenda 60 ditësh nga data e fillimit të procedurës së zgjedhjes, nuk zgjidhet presidenti i Kosovës.

 “Gjykata marrë për bazë kontekstin specifik të rrethanave të konstituimit të Kuvendit më 11 shkurt 2026, vlerësoi se Kuvendi nuk ka pasur gjashtëdhjetë 60 ditë në dispozicion, brenda të cilës periudhë duhej përfunduar procedura për zgjedhjen e presidentit”, u tha në vendim të Kushtetueses.  

Advertisement
Advertisement
Advertisement