Nga Drita te Dukagjini: Rrugëtimi i Dienit Isufit drejt shpërthimit të madh - Gazeta Express
string(74) "nga-drita-te-dukagjini-rrugetimi-i-dienit-isufit-drejt-shperthimit-te-madh"

Futboll

Blerian Dushica

20/04/2026 20:00

Nga Drita te Dukagjini: Rrugëtimi i Dienit Isufit drejt shpërthimit të madh

Futboll

Blerian Dushica

20/04/2026 20:00

Të dielën e 19 prillit, Dukagjini mori një fitore të madhe në Superligën e Kosovës, duke e mposhtur Gjilanin 3-2 si mysafir.

Në këtë ndeshje shkëlqeu gjilanasi i Dukagjinit, Dienit Isufi, i cili shënoi një gol të bukur nga distanca, për golin e dytë të skuadrës klinase në këtë ndeshje.

Isufi është një nga lojtarët kyç të Dukagjinit këtë edicion, duke treguar paraqitje të mira dhe duke shfaqur formë të lartë.

23-vjeçari është shumë i vlerësuar te klubi i Klinës, pasi ka qenë pothuajse gjithmonë titullar nën drejtimin e tre trajnerëve këtë edicion, duke nisur nga Ismet Munishi, Ndue Përgjokaj e deri tek Arsim Thaqi tani.

Deri më tani, Isufi ka shënuar katër gola në Superligën e Kosovës dhe ka dhuruar dy asistime, derisa një gol e ka edhe në Kupën e Kosovës.

Isufi ka folur për Gazetën Express rreth formës së tij aktuale, transferimin te Dukagjini, si dhe për kohën e kaluar te Drita, ku u rritë si futbollist.

“Normal, puna dhe përkushtimi im po tregon rezultat dhe jam duke kaluar në formë shumë të mirë, por ka punë akoma, shpresojmë edhe për më mirë”, tha ai fillimisht për Express.

“Familja, bashkëlojtarët, të cilët më rrinë afër dhe më mbështesin në çdo ndeshje”, shtoi ai, duke treguar se çka e inspiron atë përgjatë gjithë kohës.

Dienit Isufi tashmë i ka bërë pak më shumë se një vjet që është transferuar në Klinë, pasi më parë ishte pjesë e Dritës.

I riu u inkuadrua në ekipin e parë të Dritës në janar të vitit 2022, me një rol dytësor, teksa për një vit (nga gushti 2022 deri qershor 2023), ishte i huazuar te Kika në Ligën e Parë.

“Normal ishte shumë e vështirë, pasi që Drita më rriti në çdo grupmoshë, deri në ekipin e parë, ku kalova shumë momente të mira”, tha Isufi për Express, kur foli për largimin e tij nga Drita.

“Ka ndikuar pozitivisht [koha te Drita] në zhvillimin tim personal dhe profesional, jam falënderues për mundësinë e dhënë”, shtoi ai.

Por, ai ishte i kënaqur me vendimin e tij për t’u larguar në kërkim të minutave, pasi te Dukagjini e gjeti mundësinë për të treguar aftësitë e tij.

“Momentin kur u bë transferimi [te Dukagjini], u ndjeva shumë mirë pasi që e dimë se Dukagjini u jep rast lojtarëve të rinj, për m’e tregu veten dhe kisha nevojë për këtë gjë”, u shpreh ai.

Tutje, Isufi tregoi se çka e bindi të pranojë ofertën e Dukagjinit.

“Më bindën qëllimet e mira të klubit që kanë në zhvillimin e lojtarëve të rinj dhe për mua ishte mundësi në zhvillimin tim më të madh si lojtar profesionist dhe për këtë arsye iu bashkova klubit të Dukagjinit”, bëri me dije ai.

23-vjeçari bëri me dije se menjëherë ishte adaptuar në Klinë, dhe thotë se është i kënaqur me qytetin e Klinës.

“Jam shumë i kënaqur me ambientin, me të gjithë personat rreth klubit, bashkëlojtarët dhe qytetin e Klinës”, tha Isufi.

Isufi shprehu edhe objektivat e tij me Dukagjinin për këtë edicion të garave.

“Objektivat e mia me fanellën e Dukagjinit janë që të triumfojmë në Kupën e Kosovës dhe të garojmë në garat e Evropës”, shtoi ai.

Dieniti bëri me dije se ka edhe oferta të tjera, por që momentalisht nuk po i konsideron.

“Normal si çdo i ri, shpresojmë për një të ardhme jashtë vendit, diku në Evropë, derisa sa i përket ofertave, ka pasur disa, por ende është herët të flasim për to”, e përfundoi ai.

Dienit Isufi u shpërblye me çmimin “Ylli i Javës” nga Federata e Futbollit e Kosovës, pas performancës së tij në ndeshjen ndaj Gjilanit.

Isufi dhe Dukagjini do të kthehen në aksion këtë të mërkurë, më 22 prill, për ndeshjen e kthimit të Kupës së Kosovës ndaj Ballkanit.

Skuadra e drejtuar nga Arsim Thaqi e mposhti skuadrën suharekase 3-0 në ndeshjen e parë, dhe kështu duke qenë me një këmbë në finale – aty ku mund të luajë ndaj Llapit ose Ferizajt, me ndeshjen e parë që i takoi ferizajasve (2-1).

Ndërkohë, në Superligën e Kosovës, Dukagjini është në vendin e gjashtë në tabelë, me 38 pikë, pesë më shumë se Llapi që është i teti – te pozita që të dërgon në barazh./GazetaExpress/

Advertisement
Advertisement
Advertisement