Britania distancohet nga operacionet ushtarake në Lindjen e Mesme, zyrtarët: Duam zgjidhje diplomatike me Iranin - Gazeta Express
string(110) "britania-distancohet-nga-operacionet-ushtarake-ne-lindjen-e-mesme-zyrtaret-duam-zgjidhje-diplomatike-me-iranin"

Lajme

Gazeta Express

19/04/2026 17:34

Britania distancohet nga operacionet ushtarake në Lindjen e Mesme, zyrtarët: Duam zgjidhje diplomatike me Iranin

Lajme

Gazeta Express

19/04/2026 17:34

Britania e Madhe po mban një qëndrim të qartë distancues ndaj luftës së SHBA-së me Iranin, duke u përqendruar te presioni diplomatik, sanksionet ekonomike dhe garantimi i sigurisë së lundrimit, pa u përfshirë drejtpërdrejt në operacione ushtarake.

Zyrtarët britanikë theksojnë vazhdimisht se prioritet mbetet zgjidhja diplomatike e krizës dhe shmangia e një përfshirjeje të drejtpërdrejtë ushtarake. Ky qëndrim u konfirmua edhe në një videokonferencë të zhvilluar të premten, me pjesëmarrjen e dhjetëra vendeve, nën drejtimin e kryeministrit Keir Starmer dhe presidentit francez Emmanuel Macron.

Diskutimet u fokusuan në masa për garantimin afatgjatë të lundrimit të lirë në Ngushticën e Hormuzit, si dhe në mbështetjen e operacioneve për pastrimin e minave detare, kur kushtet e sigurisë ta lejojnë. Po ashtu, u theksua rëndësia e mbështetjes së armëpushimit të brishtë në rajon dhe mbrojtjes së anijeve tregtare dhe detarëve, në bashkëpunim me organizata ndërkombëtare.

Sipas analizave, Britania dhe Franca po shtyjnë për krijimin e një misioni shumëkombësh me karakter mbrojtës, i cili do të aktivizohet pas përfundimit të luftimeve, me synim stabilizimin e rajonit dhe garantimin e qarkullimit të lirë të anijeve. Më shumë se 12 vende thuhet se janë të gatshme të kontribuojnë, megjithëse ende nuk ka vendime përfundimtare për strukturën e këtij misioni.

Megjithatë, Londra ka refuzuar të marrë pjesë në bllokadën detare të vendosur nga SHBA ndaj Iranit, duke e konsideruar një hap të tillë si përfshirje të drejtpërdrejtë në konflikt.

Në praktikë, roli i Britanisë mbetet i kufizuar në veprime mbrojtëse, si mbrojtja e bazave ushtarake dhe aleatëve në Lindjen e Mesme, duke shmangur çdo pjesëmarrje aktive në operacione sulmuese.

Qëndrimi britanik shihet si një përpjekje për të balancuar mbështetjen ndaj aleatëve perëndimorë me shmangien e përshkallëzimit ushtarak, ndërsa theksohet gjithnjë e më shumë një qasje evropiane më e pavarur ndaj krizës. /Panorama

Advertisement
Advertisement
Advertisement