Qeveria insiston në Ligjin e Çmimeve Tavan, Oda Ekonomike kërkon qartësim të disa pikave, opozita skeptike që kryhet punë me të - Gazeta Express
string(125) "qeveria-insiston-ne-ligjin-e-cmimeve-tavan-oda-ekonomike-kerkon-qartesim-te-disa-pikave-opozita-skeptike-qe-kryhet-pune-me-te"

Lajme

Sefer Zogaj

18/04/2026 14:31

Qeveria insiston në Ligjin e Çmimeve Tavan, Oda Ekonomike kërkon qartësim të disa pikave, opozita skeptike që kryhet punë me të

Lajme

Sefer Zogaj

18/04/2026 14:31

Më 10 prill, Kuvendi i Kosovës ka votuar për Projektligjin për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg, i njohur gjerësisht si Ligji për Çmimet Tavan.

Ky ligj është është shtyrë përpara nga Qeveria e Lëvizjes Vetëvendosje në krye me Albin Kurtin që beson që një ligj i tillë do të rregullonte problemin e inflacionit në vend.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), në muajin mars inflacioni ishte 6,7, një normë që konsiderohet shumë e lartë në ekonomi.

Për frenimin e këtij inflacioni pushteti beson se nevojitet një rregullim ligjor, por kjo përpjekje ka një histori.

Në tetor të vitit 2022,  Kosovës pati miratuar pati miratuar Ligjin për vendosjen e çmimeve tavan për produktet themelore, që përfshinte produkte si  drithërat, buka, mielli, orizi, vajrat ushqimorë, vezët dhe produktet e higjienës personale.

Por, më pas ligji u dërgua në Gjykatën Kushtetuese nga Lidhja Demokratike e Kosovës, me ç’rast Gjykata, në nëntor të vitit 2023, vendosi se ligji ishte antikushtetues, me arsyetimin se cenonte nenin 10 ku Kosova definohet si Ekonomia e tregut me konkurrencë të lirë.

Pas kësaj, Lëvizja Vetëvendosje kishte filluar të akuzonte opozitën se kanë penguar frenimin e rritjes së çmimeve. Kjo narrativë ishte aplikuar edhe gjatë fushatës zgjedhore të dhjetorit 2025.

Albin Kurti ka premtuar miratimin e këtij ligji, që sipas tij frenon “abuzimin e tregtarëve”.

Rafuna kërkon plotësimin e ligjit për çmimet tavan, paralajmëron paqartësi interpretimi dhe rreziqe për tregun

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka thënë se projektligji për çmimet tavan ka mangësi të theksuara dhe kërkon përmirësime substanciale para miratimit.

Në një prononcim për Gazetën Express ai ka thënë se ligji lejon shumë hapësira për interpretim dhe keqpërdorim.

“Qëndrimi ynë është se ligji ka nevojë të punohet dhe të plotësohet shumë më tepër, pasi përmban paqartësi dhe lë hapësirë për dyshime e hamendësi. Ky është një ligj shumë i ndjeshëm dhe kërkon të jetë i shkruar në mënyrë të qartë. Në momentin kur përmendet destabilizimi i tregut, duhet të përcaktohet saktë se kur ndodh ai. Po ashtu, duhet të qartësohet mënyra e vendosjes së çmimeve tavan dhe për cilat produkte ato do të aplikohen”, ka deklaruar Rafuna. “Ajo që nuk parashihet është paketa mbështetëse pas vendosjes së çmimeve tavan. Nuk mund të vendoset një çmim më i ulët për një produkt që blihet më shtrenjtë, sepse në atë rast ai produkt mund të mos importohet fare. Kjo rrezikon që qytetarëve t’u ofrohen produkte me cilësi më të ulët dhe të ketë ndikim në shëndetin e tyre. Ne kërkojmë që ligji të plotësohet sipas praktikave të vendeve më të zhvilluara të Bashkimit Evropian”.

Rafuna ka kërkuar gjithashtu që organi vendimmarrës për çmimet tavan të jetë i pavarur dhe i bazuar në analiza të detajuara, duke përfshirë edhe përfaqësuesit e sektorit privat.

“Sa i përket bordit që do të marrë vendime, ne kemi kërkuar që ai të jetë plotësisht i pavarur dhe të realizojë një studim të hollësishëm për të përcaktuar se për cilat produkte, mallra dhe në cilat momente duhet të vendosen çmime tavan. Po ashtu, pjesë e këtij bordi duhet të jetë edhe Oda Ekonomike, si përfaqësuese ligjore e sektorit privat, pasi nuk është organizatë joqeveritare, por është e themeluar me ligj.”

Tutje, ai ka theksuar se ndërhyrja e shtetit në treg duhet të jetë e kujdesshme dhe e justifikuar vetëm në rrethana të jashtëzakonshme, duke rikujtuar përvojën nga pandemia.

“Me Kushtetutë e kemi të përcaktuar tregun e lirë dhe shteti nuk mund të ndërhyjë në të. Megjithatë, pandemia ka treguar se në raste të caktuara nevojitet ndërhyrja e shtetit për të mbështetur qytetarët, dhe ne nuk jemi kundër kësaj. Shqetësimi ynë qëndron në faktin se ligji është i mangët dhe lë hapësirë për keqpërdorim”, ka thënë ai.

Mustafa: Projektligji për çmimet tavan nuk garanton ulje të çmimeve dhe rrezikon të krijojë pasiguri në treg

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arben Mustafa, ka ngritur dilema lidhur me efektin real të projektligjit për çmimet tavan, duke kërkuar sqarime konkrete për ndikimin e tij tek qytetarët.

“Kur ka nisur rritja e çmimeve, është arsyetuar se çmimet po rriten në mungesë të ligjit për çmimet tavan. Tani, me sjelljen e këtij ligji në Kuvend, duhet të sqarohet qartë nëse pritet ulje e çmimeve dhe në çfarë mase do të ndikojë ky ligj në lehtësimin e barrës për qytetarët.”

Ai ka theksuar se përvojat e mëhershme me ndërhyrje në treg, veçanërisht në çmimin e naftës, tregojnë se masa të tilla nuk kanë dhënë rezultatet e pritshme.

“Projektligji parashikon edhe kufizimin e marzhës tregtare, por përvoja me ndërhyrjen në çmimin e naftës ka treguar se këto masa nuk kanë arritur ta pengojnë rritjen e çmimit të naftës, prandaj edhe nuk pritet të kenë efekt as në pengimin e rritjes së çmimeve të produkteve tjera. Në rastet kur çmimet e importit rriten, kufizimi i marzhës humb ndikimin e tij real në treg, por duhet të intervenohet me masa tjera lehtësuese, siç janë lehtësimet e taksave.”

Mustafa ka shprehur shqetësim edhe për mungesën e qartësisë në përcaktimin e kritereve për vlerësimin e rritjes së çmimeve.

“Po ashtu, mbetet e paqartë mënyra se si do të vlerësohen rritjet ‘e arsyeshme’ dhe ‘të paarsyeshme’ të çmimeve, pasi kjo kompetencë i lihet një bordi prej pesë anëtarësh, pa një metodologji të përcaktuar në ligj. Një qasje e tillë lë hapësirë për interpretim subjektiv dhe vendimmarrje të paqartë, duke krijuar pasiguri për bizneset dhe duke dekurajuar investimet në Kosovë”.

Sipas tij, edhe trajtimi i dallimeve të çmimeve në raport me rajonin mbetet i paqartë dhe i pasigurt për tregun.

“Në të njëjtën linjë, edhe reagimi ndaj dallimeve të çmimeve mes Kosovës dhe rajonit është lënë në diskrecion të këtij bordi, gjë që krijon pasiguri për bizneset dhe nuk garanton mbrojtje efektive për konsumatorët”, ka deklaruar Mustafa.

Mustafa ka vënë në pikëpyetje pavarësinë e bordit të propozuar, duke theksuar ndikimin potencial politik në përbërjen e tij.

“Bordi që po propozohet, në thelb, nuk është i pavarur. Ai emërohet nga Qeveria dhe vetëm formalizohet nga Kuvendi, çka e bën atë një mekanizëm me ndikim të drejtpërdrejtë politik. Në këto rrethana, pavarësia e tij është më shumë deklarative sesa reale”, ka thënë ai. /Gazeta Express

Advertisement
Advertisement
Advertisement