Pas deklaratës së kryeministrit Mickoski ku paralajmëroi se së shpejti mund të ketë përndjekje penale për ish-funksionarët nga radhët e social-demokratëve, kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, ka dërguar letra zyrtare në institucionet e Bashkimit Evropian, Komisionin Evropian, Parlamentin Evropian, si dhe te raportuesi për Maqedoninë e Veriut dhe ambasadorët e vendeve anëtare, në të cilat shpreh shqetësim për gjendjen e sundimit të ligjit në vend, por edhe paralajmëron për cenimin e rendit demokratik dhe kushtetues, si dhe të ndarjes së pushteteve. Në letrat theksohet një shqetësim i bazuar për përpjekje të koordinuara të pushtetit ekzekutiv për të ndikuar në institucionet e drejtësisë, gjë që, sipas partisë, paraqet rrezik për politizimin e proceseve gjyqësore. “Ekziston një shqetësim real dhe i bazuar se pushteti ekzekutiv po zbaton një strategji të koordinuar për të depërtuar në pavarësinë e gjyqësorit, gjë që tregon për një instalim të qartë dhe sistematik të autoritarizmit”, thuhet në letrat që Filipçe i ka dërguar faktorit ndërkombëtarë, informojnë nga LSDM.
Në letrat citohet edhe deklarata e kryeministrit Hristijan Mickoski, të cilën LSDM e vlerëson si paralajmërim për presione të mundshme politike dhe procedura selektive ndaj ish-funksionarëve. Nga partia vlerësojnë se mesazhe të tilla mund të interpretohen si tregues të revanshizmit politik dhe ndikimit të mundshëm mbi institucionet, duke theksuar se kjo është në kundërshtim me standardet demokratike evropiane. “Kam një ndjesi se së shpejti funksionarë të lartë nga qeveria e mëparshme e LSDM-së, ish-kryeministra, drejtues të qeverisë, familjarë të tyre të afërt etj., do të përfshihen në procese të caktuara ndjekjeje. Kjo deklaratë për revanshizëm politik paraqet një kërcënim të drejtpërdrejtë për pluralizmin demokratik. Ndjesia e tij se do të pasojnë veprime konkrete është një tregues transparent i qëllimit për kontroll ekzekutiv mbi prokurorinë dhe gjyqësorin, përkatësisht përgatitje të proceseve të montuara politikisht”, theksojnë nga LSDM. Me këtë sjellje, duke përdorur të dy funksionet – si kryeministër dhe si kryetar i VMRO-DPMNE-së, sipas LSDM-së, Mickoski i shndërron institucionet shtetërore në instrument të përplasjeve partiake, ndërsa njëkohësisht i përdor si mburojë për strukturat e veta.
Partia në letrat u bën thirrje institucioneve evropiane që ta ndjekin situatën dhe të reagojnë, duke paralajmëruar se praktika të tilla janë të papajtueshme me vlerat e Bashkimit Evropian. “LSDM dokumenton një delegjitimim të organizuar të sistemit të drejtësisë dhe kërkon reagim të menjëhershëm nga institucionet evropiane, duke theksuar se një sjellje e tillë është plotësisht e papajtueshme me vlerat e një shteti që synon anëtarësimin në BE”, thuhet në kumtesën e partisë. Nga LSDM shtojnë se mbeten të përkushtuar ndaj rrugës evropiane të vendit dhe mbrojtjes së parimeve demokratike dhe sundimit të ligjit.
Ndaj informacioneve se lideri i LSDM-së, Venko Filipçe, ka dërguar letra në të gjitha institucionet relevante të Bashkimit Evropian në Bruksel kanë reaguar kryeministri Hristijan Mickoski. Kryeministri vlerësoi se secili ka të drejtë të drejtohet dhe të dërgojë letra në adresa ndërkombëtare, por shtoi se qëndrimi i tij për këto veprime mbetet i pandryshuar. “Mirë, secili ka të drejtë të korrespondojë dhe të dërgojë letra, por ndjenjat e mia janë gjithnjë e më të forta”, deklaroi Mickoski. Përndryshe, kryeministri Hristijan Mickoski më herët kishte deklaruar se pret që së shpejti të nisin procese gjyqësore ndaj ish-funksionarëve të lartë të qeverisë së kaluar të udhëhequr nga LSDM. “Kam një ndjesi se së shpejti funksionarë të lartë nga qeveria e mëparshme e LSDM-së, ish-kryeministra, drejtues të qeverisë, familjarë të tyre të afërt, do të përfshihen në procese të caktuara ndjekjeje. Kam një ndjesi, nuk them se kam informacione, por kam një ndjesi”, deklaroi Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.
Kryeministri Hristijan Mickoski, dy ditë më parë, duke iu përgjigjur një pyetjeje të gazetarëve lidhur me qëndrimet e LSDM-së opozitare për përgjegjësinë e ish-kryeministrit Nikola Gruevski, tha se nuk ka informacione, por ka një ndjesi se funksionarë të lartë nga qeveria e mëparshme e LSDM-së, si ish-kryeministra dhe familjarë të tyre të afërt, do të përfshihen në procese të caktuara ndjekjeje.
Më pas ai kritikoi opozitën se nuk tregon mjaftueshëm vetëkritikë dhe theksoi se nëse dëshiron të jetë një alternativë e besueshme, duhet publikisht ta ftojë ish-drejtorin e EMV-së, Vasko Kovaçevski, të kthehet në vend dhe të përballet me drejtësinë. Ai pret që opozita të tregojë të njëjtin nivel kritike edhe në rastet kur ish-funksionarë nga radhët e saj do të përfshiheshin në procese të caktuara ndjekjeje, hetime apo procedura gjyqësore, pra edhe atëherë të dalin në konferenca për shtyp dhe t’i thërrasin për përgjegjësi. Nga LSDM më pas theksuan se deklarata e Mickoskit është përpjekje për presion politik dhe për të zhvendosur vëmendjen e publikut. Sipas partisë, kryeministri, pasi ka vendosur njerëz të tij në pozita kyçe në gjyqësor dhe prokurori, po përpiqet përmes institucioneve dhe mediave të ndikojë në narrativën publike dhe të fshehë, siç thonë ata, proceset reale të lidhura me krimin dhe korrupsionin. (koha.mk)
tag_katrorimaqedoni_2
Një lajm I mirë për bashkëatdhetarët tanë në zonën Karlsruhe-Baden-Baden! Duke filluar nga kjo verë, Reisebüro Prishtina sjell një...