Granit Xhaka pritet të vazhdojë të jetë pjesë kyçe e përfaqësueses së Zvicrës edhe në vitet e ardhshme, duke i dhënë fund spekulimeve për një tërheqje të mundshme nga kombëtarja. Mesfushori 32-vjeçar mbetet lider i padiskutueshëm dhe një nga figurat më të rëndësishme në ekip.
Trajneri i Zvicrës, Murat Yakin, ka qenë i qartë në deklaratat e tij, duke përjashtuar mundësinë që Kupa e Botës të jetë “vallëzimi i fundit” për Xhakën. “Jo, absolutisht jo. Nuk mund ta imagjinoj këtë. Për sa kohë që është në këtë formë dhe i shëndetshëm, ai do të luajë sa më gjatë që të jetë e mundur”, ka deklaruar Yakin.
Ai ka shtuar gjithashtu se kapiteni zviceran nuk ka ndërmend të ndalet shpejt: “E di gjithashtu nga ai se do të vazhdojë edhe pas Kupës së Botës. Më vjen mirë për këtë. Ai gjithmonë duhet të jetë në formë dhe në nivelin më të lartë fizik”.
Marrëdhënia mes Xhakës dhe Yakinit duket se është forcuar ndjeshëm, pas disa tensioneve që u raportuan më herët. Madje, pas Euro 2024, vetë Xhaka kishte dalë publikisht në mbështetje të trajnerit, duke luajtur rol të rëndësishëm në stabilitetin e ekipit. Kontrata e Yakinit tashmë është e vlefshme deri në Euro 2028, çka sugjeron një projekt afatgjatë ku Xhaka mbetet pjesë thelbësore.
Me 144 paraqitje, Xhaka është rekordmen i kombëtares zvicerane dhe pritet të vazhdojë të udhëheqë ekipin në sfidat e ardhshme. Pavarësisht moshës, ai vazhdon të jetë në nivel të lartë dhe i pazëvendësueshëm në mesfushë.
Në një kohë kur disa nga lojtarët kryesorë të Zvicrës po i afrohen fundit të karrierës ndërkombëtare, prania e Xhakës shihet si garanci për vazhdimësi dhe stabilitet. Për momentin, mesazhi është i qartë: kapiteni nuk ka ndërmend të ndalet dhe Zvicra do të vazhdojë të mbështetet tek ai.
Shell Kosova ka nisur një lojë shpërblyese që i kthen postimet në Instagram në mundësi reale për fitim. Me #ShellKosova...