Ish-deputeti i LDK’së, Arben Gashi, ka reaguar pasi është lënë jashtë Kryesisë së LDK’së nga Lumir Abdixhiku.
Gashi ka thënë se ka folur hapur brenda partisë për problemet të cilat i ka konsideruar, megjithatë thotë se s’janë marrë veprime ndonëse në realitet është konstatuar se ato ekzistojnë.
Gashi ka thënë se ekziston hendek i madh në mes të LDK’së dhe votuesve prandaj partisë i duhet lidership dhe energji e re.
Reagimi i plotë:
Të nderuar përkrahës, votues e simpatizantë të LDK-së, qytetarë të Kosovës,
Pas publikimit të Kryesisë së re të LDK-së, kam pranuar shumë telefonata dhe mesazhe nga ju dhe nga mediat. Prandaj, po e them qartë:
Unë nuk jam pjesë e Kryesisë së re të LDK-së.
Që nga përfundimi i zgjedhjeve të shkurtit 2025, kam folur hapur brenda strukturave të LDK-së për gjendjen në parti dhe për humbjen e besimit të brendshëm. Kam propozuar veprime konkrete për distancim nga parregullsitë dhe për krijimin e një momentumi të ri, gjithëpërfshirës, konkurrues dhe me vizion të qartë.
Këto propozime nuk gjetën përkrahje në votim, edhe pse realiteti u pranua në fjalë.
Kam refuzuar përjashtimet dhe kam kërkuar unitet. Jo për individë, por për një ide: që një parti që synon të udhëheqë, duhet së pari të jetë e bashkuar dhe e drejtë me vetveten.
Edhe pas zgjedhjeve të dhjetorit 2025, ku rezultati nuk ishte ai që e meriton LDK-ja, paraqita sërish analiza dhe rrugëdalje konkrete. U zgjodh një drejtim tjetër. E pranoj këtë si fakt politik, por jo si fund të bindjeve të mia.
Sot e them pa dilemë:
Hendeku mes LDK-së dhe votuesit nuk është rastësi, është pasojë e mungesës së guximit për të ndryshuar në kohë.
Një cikël politik ka përfunduar.
LDK-së i duhet një cikël i ri, me lidership dhe energji të re, me besim të rikthyer mbi vlerat e saj autentike.
Sepse:
Besimi nuk kërkohet – fitohet.
Shpresa nuk premtohet – ndërtohet.
Ndryshimi nuk pret – bëhet.
Sot, Kosovës i mungon më shumë se gjithçka tjetër besimi dhe shpresa. I duhet një politikë që pranon realitetin, por ndërton të ardhmen. I duhet një angazhim i sinqertë që e kthen qytetarin në qendër, i duhen vlerat e vërteta të LDK-së.
Unë besoj se këto vlera mund të rikthehen. Dhe për këtë do të angazhohem pa hezitim.
A do ta gjejë LDK-ja forcën për ta bërë këtë?
Kjo mbetet për t’u parë.
Unë do të vazhdoj të jem aty ku kam qenë gjithmonë:
në anën e parimeve, të votuesit dhe të së vërtetës.
Ju priftë e mbara!