Shqipëria “kampione” në rajon për rritjen e çmimeve në dekadën e fundit, Kosova me pagën më të ulët  - Gazeta Express
string(96) "shqiperia-kampione-ne-rajon-per-rritjen-e-cmimeve-ne-dekaden-e-fundit-kosova-me-pagen-me-te-ulet"

Lajme

Gazeta Express

15/04/2026 7:50

Shqipëria “kampione” në rajon për rritjen e çmimeve në dekadën e fundit, Kosova me pagën më të ulët 

Lajme

Gazeta Express

15/04/2026 7:50

Në 10 vitet e fundit Shqipëria i është afruar BE-së me çmimet e larta më shpejt se çdo vend i Rajonit të Ballkanit Perëndimor. Sipas të dhënave të Eurostat në vitin 2015 niveli i çmimeve sipas fuqisë blerëse ishte sa 48.3% e mesatares së BE, duke pasur çmimet më të lira në rajon, së bashku me Maqedoninë e Veriut.

Në një dekadë, ndërsa pagat vijojnë të mbeten më të ulëtat në rajon, çmimet kanë kërcyer.

Në vitin 2024, (e dhëna e fundit e Eurostat), çmimet në tërësi ishin sa 70.6% e mesatares së BE-së, duke e renditur vendin tonë si më të shtrenjtin në rajon, nga më i liri që ishte një dekadë më parë, duke ia kaluar Serbisë e Malit të Zi, që kanë pasur historikisht produktet më të shtrenjta.

Eurostat e mat treguesin e nivelit të çmimeve në raport me mesataren e BE-së, bazuar në fuqinë blerëse, ku mesatarja e  Bashkimit Europian merret 100%. Ky tregues tregon sa të shtrenjta janë çmimet në një vend krahasuar me mesataren e BE-së, duke marrë parasysh fuqinë blerëse, pra sa mallra dhe shërbime mund të përballohen realisht me të njëjtën shumë parash.

Një dekadë më parë, çmimet në vend ishin sa gjysma e mesatares së BE-së, ndërsa në 2024-n ishin sa dy të tretat e BE-së. Madje çmimet e ushqimeve për herë të parë kapën mesataren e Bashkimit Europian (101%) dhe ishin më të shtrenjtat në rajon.

Kjo ecuri dëshmon se kostoja e jetesës në Shqipëri po i afrohet me ritme të shpejta niveleve europiane, duke u shtrenjtuar ndjeshëm për konsumatorin vendas, por ndërkohë pagat dhe pensionet nuk po ndjekin të njëjtin trend. Teksa çmimet tona po europianizohen me shpejtësi, pagat mesatare në Shqipëri mbeten ende në nivele shumë më të ulëta.

Të dhëna të tjera të publikuara më herët nga Monitor treguan se paga mesatare në vend vijon të jetë më e ulëta në rajon, duke e bërë më të ndjeshme rritjen e çmimeve.

Paga mesatare mujore bruto, që marrin punonjësit në Serbi, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi e Bosnjë-Hercegovinë ishte 30-50% më e lartë sesa e atyre shqiptarë, bazuar në statistikat e vendeve përkatëse. Paga mesatare mujore bruto në Shqipëri ishte 860 euro në 2025-n, përkundrejt 1290 euro në Serbi, 1245 euro në Bosnjë Hercegovinë, 1206 euro në mal të Zi, 1100 euro në Maqedoninë e Veriut. Vetëm Kosova e ka pagën më të ulët në 639 euro, për vitin 2024.

Të dhënat tregojnë se çmimet në vendin tonë pësuan një rritje të fortë pas vitit 2021. Rritja e kërkesës nga turizmi masiv ka ushtruar presion mbi çmimet e shërbimeve dhe ushqimeve, banesave dhe qirave, të cilat sipas raporteve të fundit të Eurostat, kanë arritur nivele që në disa kategori i kalojnë edhe vendet fqinje të BE-së.

Shqipëria ka arritur standardin europian me çmimet shumë më shpejt se sa te të ardhurat, duke krijuar një presion të lartë mbi buxhetet familjare, ku një pjesë e madhe e pagës shkon vetëm për nevojat bazë si ushqimi dhe strehimi. Familjet shqiptare janë të vetmet që çojnë 40% të shpenzimeve për ushqim e pije joalkoolike, nga 13% që është mesatarja e BE-së, ndërsa në rajon kjo peshë varion nga 25-35%.

Rajoni amortizon çmimet, Shqipëria nuk mundet dhe shkon të blejë tek fqinjët

Konvergjenca e çmimeve, tregon se diferenca e dikurshme e madhe mes kostos së jetesës në rajon dhe asaj në Europë po ngushtohet me ritme të shpejta, veçanërisht gjatë pesë viteve të fundit. Në fillim të periudhës, në vitin 2015, vendet e Rajonit ( Bosnia, Serbia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Shqipëria)  luhateshin mes 48% dhe 56% të nivelit të çmimeve të BE-së, ndërsa në 2024, ky raport ka pësuar një rritje domethënëse. Shqipëria spikat si rasti më ekstrem, nga një vend që në vitin 2015 kishte një nivel çmimesh prej vetëm 48.3% të mesatares evropiane, ajo arriti në 70.5% në vitin 2024.

Në krahun tjetër, Serbia dhe Mali i Zi ndjekin një trend rritës por shumë më të avashtë. Në vitin 2024 çmimet në Serbi ishin sa 67% e mesatares së BE-së, nga 51.4 % qind që ishin në 2015, duke shënuar një rritje  15.6 pike% në krahasim me  mesatare n e BE-së. Kjo ecuri e Serbisë reflekton integrimin e saj të shtuar në zinxhirët e furnizimit evropian dhe rritjen e pagave në sektorin privat. Mali i Zi rezulton gjithashtu më i lirë se Shqipëria me çmime mesatare sa 64.2% e BE me rritje 8 pikë % në krahasim me 2015.

Ndërkohë, Maqedonia e Veriut dhe Bosnjë-Hercegovina paraqesin një ecuri më të ngadaltë të çmimeve, duke u renditur me kostot më të ulëta në Rajon. Bosnja i kishte çmimet sa 58.4% e BE-së me 2024 me rritje vetëm 4.6 pike % në krahasim me 2025.

Në Maqedoninë e Veriut çmimet ishin sa 54% e mesatares së Be-së me 2024, me rritje 6 pike % në krahasim me 2015, duke u renditur me koston më të ulët në rajon.

Diferenca e çmimeve është e lartë jo vetëm bazuar në fuqinë blerëse, por edhe në vlerë absolute. Kjo ka bërë që shumë familje shqiptare, sidomos në kufi, të bëjnë blerje në vendet e rajonit. Shembulli kryesor është nafta, që në Shqipëri është 30-40% më e shtrenjtë se në Mal të Zi apo Serbi, duke nxitur “turizmin” e blerjeve jashtë. E njëjta tendencë është dhe për ushqimet, që shumë i blejnë në Mal të Zi, Maqedoni, apo dhe në Greqi, deri te ilaçet.

Advertisement
Advertisement
Advertisement