Një ish-sekretar i NATO-s dhe figurë e rëndësishme e Partisë Laburiste të Keir Starmer kritikoi të martën kryeministrin britanik për dështimin për të financuar në mënyrë të mjaftueshme mbrojtjen, duke lënë sigurinë kombëtare të vendit në rrezik.
George Robertson, i cili në vitet 1990 shërbeu si ministër i mbrojtjes në Mbretërinë e Bashkuar përpara se të drejtonte NATO’n, i tha Financial Times se ekziston një hendek midis retorikës dhe veprimeve të Starmerit në fushën e mbrojtjes, dhe se ai “nuk është i gatshëm të bëjë investimet e nevojshme”.
I pyetur për komentet e Robertson-it, zëdhënësi i Starmer-it u tha gazetarëve se Downing Street i “hedh poshtë plotësisht” këto vlerësime.
“Është jetike të merren vendimet e duhura. Kryeministri është i vendosur të sigurojë që plani i investimeve në mbrojtje të jetë në përputhje me kërcënimet me të cilat përballemi”, tha zëdhënësi.
Robertson, i cili ndihmoi në hartimin e një Rishikimi Strategjik të Mbrojtjes të porositur nga Starmer kur Laburistët u rikthyen në pushtet në vitin 2024, në një fjalim që pritet ta mbajë, pjesë të të cilit citon Reuters, pritet të thotë më vonë gjatë ditës në një ligjëratë se Britania është bërë e cenueshme ndaj kërcënimeve të jashtme, sipas pjesëve të publikuara nga Financial Times dhe BBC.
Në fjalimin e tij, që do të mbahej në Salisbury, Robertson pritej të kritikonte ministren e financave Rachel Reeves për faktin se i kishte kushtuar “vetëm 40 fjalë” mbrojtjes në fjalimin për buxhetin vjeshtën e kaluar dhe nuk e kishte përmendur fare në një përditësim muajin e kaluar, sipas FT.
“Siguria dhe mbrojtja kombëtare e Britanisë janë në rrezik,” pritej të thoshte ai, sipas fragmentit. “Jemi të papërgatitur. Jemi të pambrojtur. Jemi nën sulm. Nuk jemi të sigurt.”
Zyra e George Robertson nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.
Keir Starmer ka fajësuar mungesën e investimeve në ushtri për 14 vitet e qeverisjes së Partisë Konservatore rivale dhe ka premtuar rritjen më të madhe të qëndrueshme të shpenzimeve për mbrojtjen që nga Cold Ëar, me synimin për të arritur në 3% të prodhimit kombëtar në parlamentin e ardhshëm.
Qeveria ende nuk ka publikuar një plan 10-vjeçar për investimet në mbrojtje, i cili fillimisht pritej para fundit të vitit të kaluar dhe që synon të përmbushë objektivat e përcaktuara në rishikimin e vitit 2024 të bashkëhartuar nga Robertson.
Ky rishikim bëri thirrje për një zhvendosje drejt përdorimit të dronëve, luftës digjitale dhe sistemeve luftarake të bazuara në të dhëna, duke reflektuar mësimet e nxjerra nga lufta në Ukrainë./Express/