Shkruan: Sylvie Kauffmann
Në librin e saj Freedom, ish-kancelarja e Gjermanisë Angela Merkel kujton se si u emocionua kur u ul në vendin e saj në Rio de Janeiro në vitin 2014 për të ndjekur finalen e Kupës së Botës mes Gjermanisë dhe Argjentinës. Viktor Orbán, kryeministri i Hungarisë, ndodhej rastësisht ulur përpara saj. Një tifoz i madh i futbollit, ai e ngacmoi: “Një gjë është e qartë. Këtu nuk mund të jesh e sigurt që do të fitosh”.
Gjermania fitoi 1 me 0. Por për Merkelin, ta mposhtte Orbánin në fushën e tij në Europë do të rezultonte më e vështirë. Po atë vit, Orbán shpiku shprehjen “demokraci joliberale”, e cila do të përcaktonte luftën e tij kundër rendit të vendosur politik të Bashkimit Europian.
Viktor Orbán po përballet me sfidën e tij më serioze zgjedhore më 12 prill — aq serioze saqë Donald Trump po dërgon zëvendëspresidentin e tij, JD Vance, për ta shpëtuar. Në Bruksel, Berlin dhe Paris, disa mund ta shohin të dobishme të kthehen pas dhe të reflektojnë mbi 16 vitet e trazuara të Orbánit në pushtet, duke pyetur veten se si u lejua të shkaktohej kaq shumë dëm ndaj kohezionit europian.
Deri në momentin e fundit, lideri hungarez ka sfiduar Bahskimin Europian, duke vendosur veto ndaj një kredie jetike prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën. Ministri i tij i jashtëm, Péter Szijjártó, pranoi se kishte bashkërenduar veprimet me homologun rus, Sergey Lavrov, lidhur me sanksionet që kishin në shënjestër Moskën.
Ndërtimi i një “demokracie joliberale” në zemër të Europës nisi duke përfituar nga buxheti bujar i BE-së, ndërkohë që në mënyrë të vazhdueshme sulmoheshin ato që konsideroheshin si ndërhyrje të Bashkimit Europian në sovranitetin e Hungarisë. Fondet e kohezionit të BE-së financuan më shumë se gjysmën e investimeve publike të vendit, duke përbërë mesatarisht mbi 3% të GDP-së së Hungarisë për më shumë se një dekadë. Ndërkohë, bashkëpunëtorët e Orbánit kanë përfituar kontrata publike në shkallë të gjerë.
Gjermania shpejt u bë partneri dominues i Hungarisë. Viktor Orbán dëshironte të industrializonte ekonominë e vendit; Audi, BMW, Mercedes-Benz dhe Opel ishin të gatshme ta bënin këtë, të tërhequra nga fuqia punëtore e lirë dhe subvencionet shtetërore.
Duke vizituar Budapestin në vitin 2015, Angela Merkel u përpoq t’i jepte leksion Orbánit mbi rolin e opozitës demokratike; ai iu përgjigj duke u mburrur me 300,000 vendet e punës të krijuara nga kompanitë gjermane dhe eksportet rekord drejt vendit të saj: “Gjithçka që mund t’i them kancelares është: faleminderit, Gjermani!”.
Ashtu si antipatia e saj ndaj Vladimir Putin nuk e pengoi Merkelin të rrisë varësinë e Gjermanisë nga gazi rus në interes të industrisë gjermane, ajo nuk mund të injoronte përfitimet që Hungaria i sillte ekonomisë së vendit të saj.
Të dy liderët shpejt u gjendën në përplasje me njëri-tjetrin. Më vonë, në vitin 2015, kur qindra mijëra refugjatë sirianë dhe afganë u përpoqën të kalonin përmes Hungarisë për të arritur në Gjermani, Viktor Orbán ndërtoi një gardh në kufi, ndërsa Angela Merkel i priti me krahë hapur. Ky episod u bë një pikëkthese në rritjen e lëvizjeve populiste në Europë.
Një zyrtar që mori pjesë në një samit europian në shtator 2015 tregoi se si liderët nga Europa Qendrore dhe Donald Tusk, atëherë president i Këshillit Europian, u lutën më kot si Merkelit ashtu edhe Jean-Claude Juncker, atëherë president i Komisionit Europian, që të mos impononin kuota refugjatësh ndaj shteteve anëtare.
Liderët e Europës Perëndimore e keqlexuan plotësisht tronditjen që shkaktoi kriza e refugjatëve në shoqëritë post-komuniste, të papërgatitura për imigracion shumetnik. Qëndrimi i tyre i pakompromis kontribuoi në fitoren e partisë nacionaliste-populiste polake Law and Justice (Ligj dhe Drejtësi) dhe forcoi pozitën e Orbánit si lider i kampit joliberal.
Ai kishte edhe një avantazh tjetër, të cilin e përdori me mjeshtëri: grupin e qendrës së djathtë Partisë Popullore Europian (EPP) në Parlamentin Europian. Në të bënin pjesë partia e tij, Fidesz, si edhe Christian Democratic Union e Angela Merkel dhe partia simotër bavareze Christian Social Union. EPP-ja, në mënyrë hipokrite, i ofroi mbrojtje vendimtare Viktor Orbán deri në vitin 2019, kur më në fund pezulloi Fidesz-in — por nuk e përjashtoi, pasi ende kishte nevojë për votat e deputetëve hungarezë për të zgjedhur Ursula von der Leyen si presidente të Komisionit me një shumicë shumë të ngushtë. Fidesz përfundimisht u largua nga grupi në vitin 2021, por për dy dekada përfitoi nga kjo tolerancë.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, besonte se mund ta joshte Orbánin drejt qëndrimeve më të arsyeshme. Të dy të apasionuar pas historisë, ata zhvillonin biseda të gjata intelektuale kokë më kokë rreth tryezës së darkës në Pallatin Élysée. Por kjo nuk e ndryshoi as këtë herë qëndrimin e “rebelit” hungarez.
Në fund, gabimi kryesor i Bashkimit Europian, sipas Clément Beaune, ish-këshilltar për çështjet europiane i Macronit, ishte besimi se shtetet anëtare, veçanërisht ato të Europës Qendrore, do të ndiqnin në mënyrë të pashmangshme rrugën e demokracisë liberale. “Nuk e parashikuam atë që ndodhi, prandaj nuk kemi mjetet e duhura,” thekson ai. Një zgjidhje mund të ishte heqja dorë nga rregulli i unanimitetit në vendimmarrjen për politikën e jashtme. Por, shton Beaune, “Franca dhe Gjermania gjithmonë e kundërshtuan këtë ide, sepse mendonin se i mbronte. Në fakt, ajo mbrojti Orbánin”.
Autorja e kësaj kolumneje, Sylvie Kauffmann, është kolumniste në gazetën franceze “Le Monde”